Zbatimi i suksesshëm i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit do të jetë vendimtar për të ardhmen e Kosovës drejt hapit tjetër për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kjo ka qenë këshilla e përfaqesuesit special të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, thënë këtë të enjte gjatë një konference mbi konsultimet për draftin e programit të zbatimit të MSA-së.
Gjatë fjalës së tij, Zhbogar kërkoi funksionimin e duhur të institucioneve gjyqësore në drejtim të përforcimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Zhbogar u ndal edhe tek Kuvendi kur tha se, “duhet të jetë një institucion funksional ku të gjithë deputetët të punojnë në mënyrë të sigurtë dhe të marrin pjesë në dialog, në mënyrë që të sjellin zhvillim dhe jo prapambetje”.
“Për zbatim të suksesshëm të MSA-së, Kosova duhet të ketë institucione të forta dhe një Kuvend funksional”, përfundoi Zhbogar.
Top Channel