Ministrja e Dialogut me Serbinë, Edita Tahiri ka deklaruar se hapësira ajrore e Kosovës është nën sovranitetin e shtetit kosovar. Duke folur për portalin “Telegrafi”, Tahiri ka thënë se, sa i takon këesaj çështjeje qeveria e Kosovës është në koordinim të plotë me NATO-n.
“Në procesin e ruajtjes së stabilitetit ajror NATO ka kompetencat vendimmarrëse, ndërsa Kosova është pjesë e këtij procesi bashkë me vendet e tjera të rajonit”, ka thënë Tahiri.
Ministrja ka mohuar zërat që kanë qarkulluar së fundmi në mediat serbe, se pas Hungarisë kontrollin e hapësirës ajrore të Kosovës do ta marrë Serbia ose Mali i Zi.
“Serbia ka ende probleme me fqinjët, prandaj nuk gëzon besueshmërinë e duhur kur bëhet fjalë për cështjet e stabilitetit ajror rajonal”, ka vijuar Tahiri.
Ajo ka pohuar se në vitin 2011 Beogradi zyrtar ka pasur pretendime të tilla, por që ka dështuar në implementimin e tyre.
“Në atë kohë Shqipëria ishte shumë afër marrjes së kësaj detyre sepse i plotësonte standardet e kërkuara. Dhe përsëri dëshiroj të theksoj se Shqipëria ka kapacitetet e duhura për të marrë kontrollin e hapësirës ajrore rajonale, aq më tepër që është anëtare e NATO-s. Ndërsa Serbia nuk është”, ka shtuar Tahiri.
Top Channel