Kosovë, qeveria i bën ofertë për dialog opozitës

03/12/2015 13:35

Partnerët e koalicionit qeveritar në Kosovë kanë vendosur të përgatisin një ofertë për opozitën, si dhe të ulen së bashku për të gjetur një zgjidhje për daljen nga kriza politike.

Një ditë pas vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry në Kosovë, kryeministri Isa Mustafa tha se, në konsultim me partnerët e koalicionit do t’i bëjnë një ofertë opozitës, por nuk tregoi se kur do të ndodhë kjo.

“Ne do t’i bëjmë edhe një herë ofertë opozitës, që të ulemi e të diskutojmë, të dialogojmë e të gjejmë një zgjidhje. Ne konsiderojmë se, zgjidhja më e mirë është që kjo të zhvillohet në Kuvendin e Kosovës, aty ku të gjithë deputetët, si përfaqësues të popullit, mund të japin vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet e tyre. Ne jemi të përkushtuar, që të gjendet një zgjidhje institucionale, jemi të përkushtuar që të mos ketë më gaz lotsjellës në Kuvend. Ato fotografi të jenë të së kaluarës dhe Kuvendi të punojë me përbërje të plotë, me pozitën dhe opozitën, dhe t’i trajtojë çështjet me përgjegjësi të plotë para nesh”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Pas deklaratës për gjendjen politike, kabineti qeveritar shqyrtoi dhe miratoi disa projektligje dhe një projektrregullore për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe të parakohshme në Universitetin e Prishtinës.

Propozimi për ndryshimin e ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit ngjalli debat, pasi ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi kërkoi nga qeveria, që gjatë ndryshimeve ligjore të shikojë mundësinë e tërheqjes së mijëra hektarëve tokë bujqësore nga procesi i privatizimit.

“Duhet të mendojmë për të ardhmen, sepse janë mijëra hektarë tokë bujqësore nën menaxhimin e AKP-së, të cilat mendoj se rrezikojnë të shkojnë dëm, nëse nuk nisim një ndryshim nga rastet e kaluara. Duke marrë gjithashtu shembull nga praktikat më të mira në vendet e rajonit apo Europës Juglindore, që kanë kaluar fazat e tranzicionit të statusit të pronës, në të kaluarën”, tha Memli Krasniqi, ministër i Bujqësisë.

Kjo kërkesë e ministrit të Bujqësisë u përkrah edhe nga kryeministri Mustafa, i cili kërkoi që të nisin procedurat e shqyrtimit të mundësisë për rregullimin e çështjes së pronave bujqësore nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA