Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e Këshillit të 22-të Ministror të OSBE-së, që zhvillon punimet në Beograd.
Ministeriali zhvillohet pas akteve terroriste të 13 nëntorit 2015 në Paris, ngjarje që sollën edhe njëherë në vëmendje sprovën që po kalon siguri europiane, duke nxjerrë gjithashtu në pah dhe nevojën për forcimin e sigurisë në hapësirën e OSBE-së.
Në fjalën e tij, duke iu referuar zhvillimeve më të fundit, ministri Bushati u shpreh se: “Harku i paqëndrueshmërisë me epiqendër Sirinë, ka prodhuar një krizë humanitare me përmasa dramatike, krizë refugjatësh të paprecedentë dhe një krizë të sigurisë me pasoja për të gjithë hapësirën e OSBE-së”.
Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të OSBE-së shërbeu si një mundësi për diskutime thelbësore mbi gjendjen e sigurisë në Europë, mbi forcimin e dialogut, të rikonfirmimit të parimeve themelore të OSBE-së dhe forcimin e angazhimit në rindërtimin e besimit mes shteteve pjesëmarrëse.
Gjatë punimeve u diskutua mbi krizat dhe kërcënimet e sigurisë me të cilat përballet sot Lindja dhe Jugu i Europës, uljen e tensioneve në zonën e OSBE-së dhe për kontributin e mëtejshëm në ndalimin e përshkallëzimit të krizës në Ukrainë. Ndër çështjet me rendësi qe u trajtuan në Ministerial ishin flukset e mëdha te migracionit, si dhe kërcënimet terroriste në hapësirën e OSBE-së.
Në diskutimin mbi përballimin e sfidave që vijnë nga Jugu dhe Lindja e Europës, Ministri Bushati u shpreh se: “Shqipëria beson se OSBE duhet përforcuar, sidomos në ato fusha të veprimtarisë ku organizata ka një vlerë të shtuar, në frymën e bashkëpunimit, gjithëpërfshirjes dhe përplotësimit me organizata të tjera, si NATO dhe BE”.
Duke u ndalur mbi ecurinë e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, ministri i Jashtëm shqiptar theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në, ku Kosova meriton të ketë ulësen e saj.
Top Channel