Ahmetaj: Bankers të përmbushë detyrimet ligjore

03/12/2015 00:00

Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj, referuar kompanisë Bankers, tha në Parlament se ka kompani që duhet të përputhë detyrimet e veta në bazë të ligjit. Ligji nuk ka ndryshuar tha Ahmetaj, por trajtimi është më i përgjegjshëm.

Fjala e plotë e ministrit Ahmetaj në Parlament:

Parafolësi, z. Berisha foli këtu për biznesmenë që ka takuar e që duan të largohen nga vendi. Le të na thotë këtu cilët biznesmenë ka takuar? Ata të cilëve ju mbajti 726 milionë dollarë borxh me dhunë apo ata që i masakronte përditë me drejtorin e vet të Tatimeve që nuk pyeste për askënd? Për cilët biznesmenë e ka fjalën? Për ata që i kishte në oborr dhe iu jepte licenca koncesionesh pa fund apo për ata që i degradonte me masa ekstreme fiskale dhe me çuarje në prokurori e kërcënim burgu? Pra, do të ishte shumë e vlefshme për qytetarët shqiptarë, se e ka zakon që i drejtohet qytetarëve shqiptarë, të thoshte biznesmenët se cilet janë? Ndoshta janë ata biznesmenë të cilët moren mbrapsht nga kjo qeveri, paratë e grabitura në mënyrë arbitrare në punët publike, ato 726 milionë dollarë? Dua t’ju citoj një nga elementët shumë të drejtpërdrejtë të raportit të bankës së Shqipërisë, i cili thotë: depozitat e biznesit janë rritur 25 miliardë në krahasim me mesataren e katër viteve dhe kjo ka ardhur drejtpërsëdrejti për shkak të pagesës së borxheve të prapambetura.

Tani, cila është klima e biznesit, t’i kthesh borxhin mbrapsht biznesit është klimë e keqe biznesi? Apo t’i grabisësh paratë dhe t’ua mbash me përdhunim, është klimë e mirë biznesi? Këte besoj se sipërmarrja e ka të qartë. Do të desha qe parafolësit t’i përmendja dhe një shifër, kishte lënë 300 milionë dollarë gjoba, gati dyfishi i asaj që buxheti mbledh nga tatim-fitimi. Kjo është klimë e mirë biznesi? Apo është terror i drejtpërdrejtë me gjoba? Sigurisht që është terror i drejtpërdrejtë me gjoba.

Unë nuk i referohem të gjithë asaj bolorie fjalësh, të cilën e bën me qëllim. Kushdo shqiptar që e ndjek, kam lexuar edhe blogjet, tashmë është i qartë se ai e bën me qëllim. Po ta shihni, në 25 vite qe ka qenë prezent në politikën shqiptare, (po kap Enverin dhe këtë e do besoj ai) dhe te shihni zhargonin e tij politik, në vitet kur ai është në pushtet Shqipëria është e dyta pas Gjermanisë. Në vitet kur ai nuk është në pushtet, në pushtet ka bandë kriminale sipas tij dhe në vitet kur ai nuk është në pushtet bën thirrje për revolucion demokratik. Në vitet kur ai është në pushtet dhe vrau në 21 janar qytetarë ai vjen në Parlament dhe thotë respektoni Parlamentin. Do ishte e ndershme t’i thoshe se ka dubël standard, megjithëse ka 10 standarde në fakt. Një standard e ka për veten dhe familjen e vet, një për pozitën, një për opozitën, një për biznesmenët e vet, një për ata që s’e pyesin, pra i ka të gjithë standardet.

Nëse paska terror, si ka mundësi që janë regjistruar 38 mijë e 400 biznese të reja vetëm këtë vit. Si ka mundësi që në gjashtë mujorin e parë janë rritur investimet e huaja me 34 për qind? Ka investitore ne nafte, Shell me investim të ri po në naftë, Steigenberger me ofertën zyrtare së fundmi, investim gjerman, Forschner, investim gjerman, Skavica ofertë e drejtpërdrejtë turke, e pafund të tjerë. Investimet e huaja nuk janë narracion.

Narracion është ky dhe e bën me qëllim. E bën me qëllim për dy arsye. Arsyeja e parë është që bëri spikerin e 8 dhjetorit, pra ka frikë se mos i dështon ajo protestë pa bosht dhe ftoi kosovarë, biznes të vogël, maqedonas, biznes i madh, miq, armiq, të gjithë i ftoi në atë 8 dhjetor për të testuar veten. Dikush i ka thënë këtu koha juaj ka mbaruar. Unë ia kam thënë i pari në fakt, koha juaj ka mbaruar. Ka mbaruar. Sigurisht që rotacioni është gjëja më normale në botë edhe ndodh, dhe do të ndodhë, por do të jetë i largët për këtë opozitë dhe për atë nuk do të jetë, sepse ai nuk do të vijë asnjëherë në pozitë. Sepse ai është një antikulturë e cila ka vdekur me ikjen e tij.

Ndonjëherë bëjmë debat me njëri-tjetrin dhe dua ta ndaj këtë me qytetarët, sa mirë që është Saliu se bën gjithë atë bolori fjalësh dhe opozita nuk ia del dot njëherë ta na vërë në vështirësi. Unë hyj tek ata që mendojnë kundër. Nëse ky njeri nuk do të fliste për kriminele, për hajdutë, për drogë, për prostitucion, për maniakëri, për varfëri, ky Kuvend do të ishte shumë herë më i mirë dhe kjo qeveri këtu do të vihej në vështirësi shumë herë më të madhe nëse opozita do të vinte me elementë legjitime për ta përmirësuar qeverisjen sepse atë detyrë ka. Edhe për të denoncuar patjetër, sepse atë detyrë ka, por për të denoncuar jo me bolori fjalësh nga zhargoni më i zi. Dhe kjo bëhet me qëllim. Arsyeja e parë ishte për të rritur pjesëmarrjen e shqiptarëve në protestën e tij që të vijë ky sërish në pushtet që të vrasë ky sërish, që të japë ky sërish koncesione që t’i rëndojnë shqiptarëve dhe 30 vite të tjera. Po nuk besoj se ka shqiptarë më të duan të kthehet ky në pushtet.

E tmerron ringritja ekonomike. E tmerron. E ka makth rikthimin e rritjes ekonomike sepse ishte autori qe pikturoi skenarin grek. Ku është skenari grek? Po është fatmirësi që Shqipëria nuk i ngjan ekonomikisht Greqisë. Per çfarë e ke uruar skenarin grek? Për të parë ’97-ën që e bërë ti? Nuk ka më Shqipëria ’97 dhe falë përgjegjshmërisë së kësaj qeverie nuk ka edhe skenar grek.

Taksa zero për biznesin e vogël të tmerron, e di shumë mirë të tmerron. Taksa zero për biznesin e vogël të del në ëndërr. Ti kishte ëndërruar dy gjëra në jetën tënde opozitare të këtyre dy viteve, revoltën e biznesit qe e shtytë siç e shtytë, dhe një çarje të aleancës. Të dyja të kanë dështuar. Nuk ka precedentë në 25 vite të një qeverie t’i afrojë sipërmarrjes së vogël taksën zero për ta lehtësuar. Dhe ja ku jemi pra, taksa zero për biznesin e vogël kthen mbrapsht 2 miliardë lekë, 20 milionë dollarë, në konsum.

Flisni për konsumin, që është rritur kredia konsumatore 5.2 për qind. Vërtetë kredia për biznesin akoma nuk ka marre per lart, por kredia konsumatore për familjarët është rritur me 5.2 për qind. Çfarë quani terror, mundësinë që i dhamë sipërmarrjes për të korrigjuar inventarin? Po nuk jemi ne ajo antikulturë që të kapim gafil biznesin dhe sipërmarrjen siç i kapnit ju. I kapët para zgjedhjeve me tendencën gafil, siç e quajmë ne, vutë gjoba elektorale 30 milionë dollarë. I falëm ato gjoba elektorale. Falëm dhe gjobat që kishit vënë për sigurimet shoqërore dhe tani i themi sipërmarrjes së vogël nuk ka më që të gjobitesh sepse një anëtar i familjes punon part time ose me orë të shkurtuar për të ndihmuar në biznesin e vogël, mjafton që familja, ai që punon përditë dhe që është përgjegjës për sipërmarrjen e vogël të jetë i siguruar.

E pra, iu ktheva inventarit sepse është një nga lëvizjet më legjitime, më të pastra, me të drejtpërdrejta, më ndihmëse për sipërmarrjen. E di se çfarë është inventari, meqë flet për terror? Inventari është që, një qeveri vjen i thotë sipërmarrjes: ke probleme me inventarin në magazina, ke probleme me vetë-deklarimin. Nuk e kam atë antikulturë të deri djeshme që të vij të të kap gafil dhe të të gjobis. Nuk e kam atë antikulturë, por kam kulturën që të të paralajmëroj dhe të të jap kohën e duhur që ti vetë te korrigjohesh, në funksion të transparencës dhe të zinxhirit të rritjes ekonomike.

Flet për kuponin. Kuponi është institucion. Nuk është as mëshirë, as një copë letër, sepse brenda opozitës e dinë mirë se çfarë është kur jepet dhe kur nuk jepet kuponi. Kuponi është institucion dhe biznesi i vogël e ka kontakt të drejtpërdrejtë me shtetin atë kupon, është investimi që sipërmarrja e vogël bën tek shteti. Taksa zero, por detyrim për të lëshuar kupon, sepse do të duhet të mbyllet zinxhiri fiskal dhe zinxhiri financiar.

Fole për varfërinë. Unë dua ta ndaj me qytetarët që në vitin 2012 varfëria në Shqipëri arriti kulmin. Arriti kulmin në 2012 kur ai që iku e quante Shqipërinë vendin e dytë pas Gjermanisë. Që Shqipëria ka nevojë për optimizëm kjo nuk diskutohet, por që ne të flasim për varfërinë ndërkohë që ka një përpjekje reformash e cila po e kthen ekonominë në rrugën e duhur, kjo sigurisht që për mua është antishqiptare. Megjithatë, do të vazhdoj edhe më tej. E theksova që në vitin 2012 varfëria ka qenë në kulmin e vet dhe ka filluar rënia e varfërisë. Rënie modeste, por ka filluar të bjerë varfëria dhe këtë nuk e thotë qeveria shqiptare, këtë nuk e thotë asnjë deputet, këtë e thotë Banka Botërore në raportin e vet të fundit. Banka Botërore thotë ka rënë varfëria, arriti kulmin në 2012-ën dhe ka filluar të bjerë. 167 mijë vende të reja pune të regjistruara në bordero, ju pëlqen, nuk ju pëlqen juve. Unë e kuptoj që nuk ju pelqen, qe ju doni të vini me zi në pushtet por në pushtet nuk vihet më me zi, në pushtet vihet me rotacion normal dhe me një ofertë politike që ju nuk e keni.

Po të debatonit për ofertën politike, do të ishim dhe ne në pozicion të vështirë ndoshta-ndoshta, por nuk jemi fare, as komodë nuk jemi, sepse nuk keni një ofertë. Nuk jemi në pozicion të vështirë sepse nuk keni ofertë dhe nuk jemi prapë më komodë sepse nuk keni ofertë. Sepse, një opozitë normale do duhej të na kishte vënë ne në pozitë për të përmirësuar operacionet e përditshme qeveritare por edhe politikat, nëse doni. Por nuk e kemi, na mungon. Është disavantazh i madh për një qeveri që të mos ketë opozitë normale që të sjellë ofertë politike dhe ekonomike. Mos e sillni, i tregoni shqiptarëve që nuk jeni gati dhe nuk do të jeni gati për një periudhë shumë të gjatë.

Do vazhdoj dhe me bujqësinë dhe fermerin. Nuk ka kupon dhe nuk taksa në bujqësi dhe t’ia thoni dhe atij që drejton juridikisht opozitën. Dhe keni pasur një rimbursim 6 për qind dhe nuk keni rimbursuar asnjë lekë. Asnjë kokërr leku nuk keni rimbursuar. Pse nuk rimbursuat? Çfarë problemi kishit? Nuk iu lejonte struktura qeveritare? Po ne pse na lejon? 20 për qind e kemi ne TVSH-në e rimbursueshme për fermerët, e bëjmë 8 milionë deri tani. E di çfarë ndodh? Është formalizim dhe ndihmë e drejtpërdrejtë për fermerin. Nuk besoj që nuk e di, e bën me qëllim që fermerët që janë duke punuar t’i vijnë në datën 8 për protestë. Fermerët janë në punë, nuk të vijnë dot në protestë.

Foli për Bankers. Patjetër që ka çështje të debatueshme në klimën e biznesit dhe shumë çështje do të vazhdojnë të debatohen edhe në strukturat juridike. Do t’i kërkoja atij që iku të lexojë dokumentin, raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për Bankers. Ta lexojë dhe ta sjellë këtu, sepse për CEZ-in e solli. Ta sjellë dhe për Bankers. Nëse do të kishim bërë të kundërtën, do të vinte dhe do të thoshte: “shikoni këta, këta e shkatërrojnë Shqipërinë, këta nuk i luftojnë këto kompani që vjedhin”. Nuk ka kompani që vjedh apo që nuk vjedh. Ka kompani që duhet të përputhin detyrimet e veta na bazë të ligjit dhe ka procedura ligjore të cilat i gjykojnë. Ligji absurd qe quani ju, nuk ka ndryshuar fare. Nëse e ke pasur absurd, është absurd. Por nuk është absurd, sepse bie dakord me logjikën që struktura fiskale është e njëjtë, gjykimi është i njëjtë, trajtimi është ndryshe. Është më i përgjegjshëm.

Do flas dhe për dy elementë që nuk më takonin, por gjithsesi do i ndaj me ju. Shumëkush e di që personalisht kam qenë studentë i grevës së urisë. Kjo nuk ka vlerë fare pas 25 vitesh për këtë Parlament, mund të ketë vlerë historike për mua por për askënd që e dëgjon. Etërit dhe bijtë, cilët janë etërit dhe cilët janë bijtë? Në ka mishërim të atit dhe të birit të asaj kohe është Saliu. Ai sekretar, ai denoncues, ai pedagog, ai nismëtar, është ati dhe i biri dhe nuk i ka tradhtuar etërit dhe as të bijtë. Ka bërë atë që pritej të bënte, shkatërroi Shqipërinë.

E fundit fare, në lidhje me Preshevën dhe Kosovën. Nuk më takon, por po e ndaj me ju për arsye fare të thjeshtë. Pse fusni hundët thotë në punët e brendshme të Kosovës. Gjëja më e bukur që dëgjova këto është ajo që tha Erjon Brace: “unë nuk e ndjej veten të huaj në Kosovë dhe nuk është futje hundësh”. Sepse, nëse faktori shqiptar në të dy shtetet është i fortë, ka vetëm të mirë për faktorin shqiptar.

Kam qenë prezent në takimin mes Kryeministrit të Shqipërisë dhe Kryeministrit të Serbisë. Është e para herë që një kryeministër shkon në Beograd. Saliu nuk e pati guximin. Dhe është e para herë që një Kryeministër shkon në Preshevë. Saliu nuk e pati guximin, e pati Edi Rama. Zyrtarisht është kërkuar trajtim ndryshe në Preshevë, që nga ana sociale, që nga ana ekonomike, që nga ana politike, dhe shumë nga ato, për shkak të presionit që Tirana zyrtare i bën qeverisë së Beogradit janë bërë. Unë e kuptoj që ka një kundërshti veprimesh dhe një kundërshti fjalësh. Të vish këtu dhe të flasësh këtu për faktorin shqiptar, në një kohë që shqiptarët nuk duhet të harrojnë atë që kane kërkuar në Rambuje, e mbani mend besoj. Po të kishte dëgjuar bota këtë burrin që foli para meje, nuk do të kishte Kosovë të pavarur dhe po qe se do ta kishte lejuar bota këtë burrin që foli para meje të vazhdonte të bënte atë që bëri në ’94-ën, me kontrabandën kundër Kosovës, pro Millosheviçit, rrezik nuk do të kishte as Shqipëri le më Kosovë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta