Ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka dalë kundër disa deklaratave të mbërritura nga zyrtarë të lartë të shtetit shqiptarë, që ftojnë deputetët e opozitës kosovare që të heqin dorë nga dhuna në Kuvend.
Krasniqi ka reaguar përmes rrjeteve sociale me një shkrim të titulluar “A është ky përfaqësim dinjitoz i shtetit?”
“Është një shprehje, që për të satën herë e dëgjojmë nga zyrtarë të lartë të shtetit që e përfaqësojnë – Shqipërisë. E shajnë shtetin që e përfaqësojnë! Çfarë përfaqësimi është ky? Ku i keni marrë këto mësime të çoroditura? Prej nga e mësuan këtë gjuhë këta zyrtarë të lartë të shtetit – Shqipërisë? Sot kësaj vjershe që e kanë mësuar si papagalli, përmendsh, iu bashkua edhe ministreja e Mbrojtjes së Shqipërisë, zonja Kodheli e cila paska thënë: Mos merrni mësim nga ne (nga Shqipëria – nënvizimi im) – gjuha e rrugës nuk është zgjidhje”. A vërtetë “gjuhë e rrugës” është mbrojtja e vendit nga marrëveshjet e këqija, që po çojnë vendin nga shkërmoqja e shtetit? Po thonë mos merrni mësim nga Shqipëria? Kush duhet të jetë fajtorë, nëse ne nuk duhet të mësojmë nga shteti shqiptar me histori 103 vjeçare – Shqipëria?”, shkruan Krasniqi.
Para kujt po e thonë ketë?- vijon Krasniqi. “Po e thonë para atyre që sheshazi kanë bërë marrëveshje tepër të dëmshme për vendin që e përfaqësojnë. Po e thonë para atyre që shtetin e kanë bërë policor, e të cilin e drejtojnë kundër atyre që po e mbrojnë. Po e thonë para atyre që Shtëpinë e Demokracisë, Kuvendin e Kosovës e kanë shndërruar në Garnizon të policisë antiterror. Po e thonë para atyre që, jo vetëm e kanë pastruar Kuvendin nga opozita, por janë duke burgosur deputetët opozitar?! Janë duke i gjakosur kushdo që guxon ta mbrojë Republikën e Kosovës, veprimtarë politik, të rinj e të reja që e duan ketë vend, pa hile e pa interes. Para atyre që sheshazi, janë duke i mbrojtur interesat e veta, por assesi interesat e Republikës sonë. Republika e Kosovës, qytetarët tanë, madje edhe te gjithë të pushtetshmeve “tanë”, duhet t’ju flisni ndryshe, jo duke e sharë shtetin që e përfaqësoni – Shqipërinë! A jeni në vete apo jo?”, mbyll komentin e tij ish-kreu i Kuvendit të Kosovës.
Kodhelli kërkoi nga politikanët e Kosovës, gjatë një vizite zyrtare në Prishtinë, që të mos bëjnë gabimet e politikanëve shqiptarë në Tiranë.
Top Channel