Paralelisht me ceremoninë e Qeverisë dhe Presidentit në sheshin e Pavarësisë në Vlorë, opozita bëri homazhe në Varrezat e Dëshmoreve në kryeqytet, duke vijuar të njëjtën traditë prej disa vitesh tashmë, të festimit jo vetëm të Ditës së Flamurit, por edhe të Çlirimit.
Kryetari Basha dhe ish-kryeministri Berisha i janë drejtuar memorialit “Nënë Shqipëri”, duke vendosur kurora me lule dhe nderuar të rënët për liri.
Kryetari i demokratëve uroi të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet, për të dyja këto momente historike të kombit shqiptar, Pavarësinë dhe Çlirimin, duke mos e shkëputur këtë mesazh nga aktualiteti politik.
“Asnjë komb tjetër nuk ka paguar më shtrenjtë për lirinë kombëtare se kombi shqiptar ndër shekuj. Por kjo liri është e paplotë pa lirinë nga tirania e varfërisë, pa lirinë nga tirania e padrejtësisë, e arbitraritetit dhe arrogancës. Ndaj jam i bindur se ky 28 Nëntor do të shërbejë për një bashkim të ri dhe të madh të shqiptarëve për t’i dhënë lirisë kombëtare dimensionet e plota dhe të vërteta, të lirisë, demokracisë, përparimit, zhvillimit dhe shanseve të barabarta për të gjithë para ligjit”, tha Basha.
Në ditën e Pavarësisë, që për demokratët është edhe dita e Çlirimit, prej opozitës janë bërë homazhe edhe në shtatoren e Adem Jasharit në kryeqytet. Për kreun e PD-së nuk është rastësi që Adem Jashari ka lindur pikërisht në këtë ditë, duke i dhënë pavarësisë dhe çlirimit një tjetër dimension.
Ceremonitë e demokratëve janë mbyllur me vizitën në shtëpinë e Azem Hajdarit, Dëshmorit të Demokracisë.
Top Channel