Manjani, te Nishani: Mbështesim çdo hetim ndaj korrupsionit

27/11/2015 11:30

Kur statistikat e njerëzve të drejtësisë të ndëshkuar për korrupsion po rriten shumë ngadalë, me 5 gjyqtarë e prokurorë të arrestuar brenda një viti, e 12 të tjerë ende nën hetim, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shprehet se do të jetë në krah të kujtdo, që denoncon të korruptuarit.

“Do të kërkoj çdo lloj inspektimi në rastin e gjyqtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa në rastin e prokurorëve do të kërkoj dhe do të ushtroj inspektime për çdo rast, ku shqetësohet publiku. Çdo ankesë e publikut, është detyra ime ta verifikoj”, tha ministri i Drejtësisë Manjani.

Pak orë pas arrestimit të prokurorit Petrit Vukaj, ministri i Drejtësisë zhvilloi një takim pune me Presidentin Bujar Nishani, që ka gjithashtu edhe funksionin e kreut të KLD-së.

“Sa për çështjen e arrestimit, ju e dini që unë jam përkrahës i ashpër i goditjeve për çështje të korrupsionit, të shkeljes së detyrës, jo vetëm në organet gjyqësore, por gjithandej ku kryhen shërbime ligjore. Kështu që do të kenë mbështetjen time të pakufijshme, prokurori, e gjithë trupa e prokurorëve dhe ajo gjyqësore, që distancohen dhe marrin masa antikorrupsion” tha më tej Ylli Manjani.

Burime jozyrtare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda pohojnë se, për këtë vit, në gati 120 raste qytetarët kanë njoftuar organin e hetimit se, prokurorë dhe gjyqtarë të caktuar u kanë kërkuar parà në këmbim të një vendimi apo të pushimit të hetimeve.

Por ndërsa Prokuroria u ka ofruar menjëherë bashkëpunim denoncuesve, për të realizuar hetimet ndaj të dyshuarve me metoda stimuluese, qytetarët nuk kanë pranuar, çfarë ka sjellë edhe mbajtjen pezull të këtyre dosjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA