“Fiks Fare”, jeta tjetër e natës në Tiranë

27/11/2015 00:00

“Fiks Fare” ka sjellë këtë të premte jetën tjetër të natës të kryeqytetit shqiptar. Në rrugët e Tiranës ka shumë njerëz të cilët e gdhijnë aty, duke  përballë me vështirësi të ndryshme për të siguruar bukën e gojës.

Një punëtor i bashkisë që merret me pastrimin e rrugëve tregon vështirësitë me të cilat përballet çdo natë. Ai thotë se shpesh është i detyruar të durojë ofendimet e njerëzve të cilët kanë abuzuar me alkoolin dhe e rastisin atë në rrugë.
 
“Çdo natë rri deri në ora 04:00. Me këtë punë siguroj jetesën.  Paguhem 8500 lekë (të vjetra) nata. Vështirësi ka sepse ka tipa që pinë raki e drogë dhe na ofendojnë. Kjo na ndodh shpesh”, tregon ai.

Ndërkohë, një tjetër është i detyruar të mbledhë kanaçe për të siguruar jetesën. Ai thotë se më mirë që të sigurojë të ardhurat në këtë mënyrë, sesa të vjedh. 

“Dal çdo natë, kam tre fëmijë dhe me këtë i mbaj. Shikoni këto duar, me këto kap lloj-lloj pisllëqe. Nuk më pëlqen, por jam i detyruar. Nuk dua as të vjedh, as të vras, as të merrem me thashetheme, shoh punën time”, thotë ai.

Një tjetër kategori e njerëzve të cilët mund t’i takoni në rrugë gjatë natës janë edhe të pastrehët. Ata i gjen në çdo cep të rrugëve të Tiranës, të cilët flenë.

Vetëm pranë stadiumit “Qemal Stafa” “Fiks Fare” takoi katër të tillë. Disa flinin rrugëve prej dhjetë vitesh, ndërsa një tjetër pret ndihmën e Bashkisë Tiranë për ta ndihmuar, pasi thotë se së shpejti “Qemal Stafa” do të hyjë në rikonstruksion për t’u shndërruar në “Arena Kombëtare”, ndërsa ata nuk kanë se ku të shkojnë.

“Zt. Erion Veliaj i lutem, i përgjërohem, në emrin tim dhe të pastrehëve të tjerë që të paktën të na gjejë një vend strehimi”, thotë një i pastrehë që fle prej 5 vitesh poshtë “Qemal Stafës”.

Po ashtu, ata që punojnë natën janë edhe personat të cilët shesin trupin e tyre për të siguruar jetesën. Mbrapa Pallatit të Kulturës këtë veprimtari e ushtrojnë edhe tranvestitët.

“Në një natë fitoj nga 50 (mijë lekë të vjetra) deri në 100 (mijë lekë të vjetra). Më së shumti në një natë kam fituar kur isha me një shtetas të huaj, një amerikan, 200 dollarë. Dua nga qeveria shqiptare që të legalizojë prostitucionin, ndërsa edhe njerëzit të mos na ngacmojnë”, thotë Sandra.

Top Channel