Ka tejkaluar diskutimin e buxhetit të Minstrisë së Jashtme debati në komisionin për politikën e jashtme, ku i ftuar për mënyrën sesi do të shpërndahen paratë vitin që vjen ishte përveç ministrit Ditmir Bushati, edhe zëvendësminsitri i Financave.
Prezenca e këtij të fundit u shfrytëzua nga deputeti socialist Ben Blushi për të ditur se cili është borxhi i Shqipërisë jo në përqindje, por në vlerë, çka e vuri në llogaritje numrin dy të Financave.
“Në total, në dy vite i bie rreth … më pak se 140 miliardë lekë. I bie tek 1 miliard euro”, tha zv.ministri Erion Luçi.
“Sa lekë borxh keni marrë? Nuk ka qeveri në botë që nuk di sa lekë borxh ka marrë. Ty të duhet çerek ore të marrësh një letër, të pyesësh në telefon, të konsultohesh dhe pastaj të thuash se keni marrë kaq për qind. Jo, zotëri. Sa borxh keni marrë me shifra. Mos iu fut këtij debati. Ju jeni të papërgjegjshëm sepse keni marrë një borxh që nuk na takon”, replikoi ashpër Blushi.
Ben Blushi, që pati irritimin më të madh nga pohimi i zëvendësministrit se borxhi po merret për të paguar pensionet, i kujtoi kolegëve të tij zotimin kur ishin në opozitë se do ulnin borxhin nën 60 për qind, që përkon me normën europiane, ndërsa kjo qeveri e ka çuar sipas tij mbi 73 për qind.
“Me ça e paguani ju këtë borxh? Ua trashëgoni brezave? Për çfarë? Çfarë po bëni me këtë borxh, po paguani rrogat? S’mund të merret borxh për rrogat. Po ndërtoni çfarë? Rrugën që lidh Tiranën me Elbasanin? Pse nuk mbaron rruga, ku shkojnë paratë? Nëse marrim borxh për pensionet ky shtet ka falimentuar. Më thoni 5 km rrugë që keni shtruar, sepse po bëni pishina dhe kulla. Nuk merret borxh për këto, kjo është luksokraci, që merr borxh për rroba dhe jo për ushqim”, tha Blushi.
Top Channel