Bashkimi Europian do të ofrojë në gjashtë vitet e ardhshme 42 milionë Euro përmes programit Interreg-IPA II.
Programi i ndihmës do të mbulojë 11 rajone kufitare greke dhe katër rajone shqiptare, më konkretisht qarkun e Vlorës, Beratit, Korçës dhe Gjirokastrës.
Programi do të fokusohet në dy prioritete kryesore, që janë mbrojtja e mjedisit, mbështetja e transportit të qëndrueshëm, infrastrukturës publike dhe nxitja e ekonomisë lokale.
“Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar të Asistencës së BE, dëshiroj të nënvizoj rëndësinë e Programit Greqi-Shqipëri 2014-2020 duke marrë në konsideratë rolin e rëndësishëm që do të luajë në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm rajonal dhe zgjerimin e bashkëpunimin mes popullsisë dhe institucioneve lokale, me qëllim adresimin e sfidave të përbashkëta. Qëllimi i këtij programi janë rezultatet e prekshme për komunitetin”, tha Ministrja, Klajda Gjosha në ceremoninë e çeljes së këtij programi, zhvilluar në qytetin e Vlorës.
Të pranishëm ishin në ceremoni ishin gjithashtu, Konstantinos Piperigos, i Ngarkuar me Punë, Këshilltar i Parë i Ambasadës Greke në Tiranë, Znj. Olga Anghelakis, Drejtoreshë e Sektorit Operacional në Delegacionin e BE-së, Vasilis Charitantis, përfaqësues i Autoritetit Menaxhues të Programeve të Bashkëpunimit Territorial, si dhe përfitues e të interesuar për të aplikuar për këtë program nga rajone të ndryshme të vendit.
Top Channel