Nga samiti i Këshillit Atlantik për Energjinë dhe Ekonominë, i mbajtur në Stamboll, që shërben si një platformë për bashkërendimin e strategjive ekonomike, politike dhe energjitike, kryeministri Edi Rama foli për objektivat e qeverisë shqiptare në këtë sektor.
“Përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë kanë prodhuar një transformim spektakolar në vetëm dy vjet. Tani niveli i arketimeve është në gati 100%, ndërsa niveli i humbjeve në sektorin e shpërndarjes ka rënë në mënyrë dramatike. Për herë të parë në 25 vitet e fundit, Kompania Shqiptare e Shpërndarjes së Energjisë ka regjistruar në 2015 fitime operative, duke bërë të mundur që të fillojnë të investojnë në sistem. Qëllimi ynë është të transformojmë sektorin e energjisë nga barra më e rëndë e buxhetit të shtetit shqiptar dhe pengesa më e rëndë për të përballuar të ardhmen, në një sektor që vetëfinancohet dhe kontribuon brenda vitit 2018”, deklaroi Rama.
Shqipëria, tha Rama, po diversifikon dhe konsolidon pozicionin e saj energjitik në rajon.
“Gazsjellësi TAP, i cili do të sjellë gazin kaspik nga fusha e Azerbajxhanit në Bashkimin Europian përmes Shqipërisë, e vë për herë të parë vendin tonë në qendër të politikës gjeo-strategjike të Bashkimit Europian. Përfundimi i projektit TAP, fillimi i projektit Joniano-Adriatik, duke pasur parasysh zbulime të rëndësishme në lindje të Detit Mesdhe që mund të transformojnë Izraelin dhe Qipron në furnizuesit e rinj për tregun europian të gazit, në një periudhë afatgjatë do bëjnë që Shqipëria të ketë më shumë potencial për të luajtur një rol jetik në sektorin e energjisë në rajon”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama gjatë qëndrimit në Stamboll u takua edhe me me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Zyra e shtypit në Kryeministi thotë se në qendër të bisedës ishte situata e sigurisë në rajon, si pjesë e sfidës së përbashkët kundër terrorizmit dhe kriza e refugjatëve sirianë.
Presidenti Erdogan në takim u angazhua për një mbështetje me programe konkrete investimesh, qoftë për ujin e pijshëm dhe qoftë për ujitjen e kullimin në zonat bujqësore. Po ashtu u përcaktuan një sërë veprimesh konkrete për të fuqizuar infrastrukturën shëndetësore dhe arsimore përmes partneriteteve publik-privat.
Top Channel