Rinisin punimet për rrugën Tiranë-Elbasan, shtyhen afatet e përfundimit

17/11/2015 14:05

Pasi kishte ndërprerë punimet prej disa muajsh, kompania greke ka rinisur punën për përfundimin e rrugës Tiranë-Elbasan, një prej projekteve infrastrukturore më të rëndësishme dhe njëherësh më problematike për shkak të shembjeve të dheut.

Kompania “Copri Aktor” ka rivënë në lëvizje mjetet e punës në zonën e Mulletit, prej nga ministri Haxhinasto ka deklaruar se afatet do të pësojnë një tjetër shtyrje, nga dhjetori, siç ishte parashikuar, në verën e vitit që vjen.

“Të thuash që më 31 dhjetor përfundon rruga nuk është konkluzion realist. Kalendari i ri i punimeve do të respektohet dhe verën e vitit që vjen do të mbarojë rruga”, ka thënë Haxhinasto.

Por pjesa më problematike e rrugës nuk është ajo në zonën e Mulletit ku aktualisht punohet, por zona e Ibës, ku ndodhi rrëshqitja e dheut para një viti dhe ku punimet nuk kanë filluar ende.

Ndërprerja e punimeve erdhi pas përplasjes së shoqërisë dhe qeverisë, kur kompanisë nuk iu njohën situacionet e punimeve, ndërsa ajo që i dha shtysë konfliktit ishte se kujt do t’i njiheshin shpenzimet për riparimin e rrugës së dëmtuar nga shembjet.

Kompania ka kërkuar që për rehabilitimin e këtyre zonave problematike të bëhet rishikimi i planit financiar, që do të kërkonte fonde shtesë nga qeveria. “Aktualisht jemi brenda vlerës së kontratës”, ka saktësuar Haxhinasto.

Ndërkohë, ARRSH thotë se po negocion dhe vlerëson teknikisht kërkesat për financime shtesë për të përballuar punimet si pasojë e shembjes së malit në zonën e Ibës.

Top Channel