Sekuestrohen 330 kg kanabis në dy operacione të ndryshme, arrestohen 5 kushërinj

15/11/2015 16:20

Rreth 330 kg kanabis sativa janë sekuestruar gjatë ditës së diel, në dy aksione të Policisë së Shtetit.

Fillimisht, blutë e Beratit kanë bllokuar 80 kg kanabis si dhe kanë arrestuar 4 kushërinj, Dashnor Çifliku, Saimir Çifliku, Florud Çifliku dhe Guxim Çifliku.

“Arrestimi i tyre u bë pasi mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, si dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasve Dashnor dhe Guxim Çifliku janë gjetur dhe sekuestruar 80 kg hashash, ku dyshohet se këta shtetas në  bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorët e kësaj vepre penale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Beratit.

Ndërkaq, gjatë orëve të pasdites, një tjetër pjesëtar i kësaj familje, Neshat Çifliku është arrestuar në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Botës në Sarandë, pasi në kamionin që drejtonte është gjetur një sasi prej rreth 250 kg kanabis sativa, me destinacion Greqinë.

“Gjatë  kontrollit të detajuar në të gjithë kamionin, si fillim  nga shërbimet e policisë kufitare u konstatua se pjesa e sipërme e tavanit të automjetit, ishte e lyer me bojë të re. Nga kontrolli i  imtësishëm në tavanin e kamionit  u konstatua një sasi e konsiderueshme me lënde narkotike të llojit “kanabis sativa”, e cila ishte e ndarë në pako me peshë të ndryshme, të mbështjella me letër natribani të tejdukshëm”, mbyllet njoftimi i Policisë së Shtetit.

Top Channel