Itali, në pranga 4 shqiptarë për trafik droge

13/11/2015 19:40

Një kontroll i rastësishëm në një nga arteriet rrugore në hyrje të Romës, çoi në zbulimin e një ngarkese prej 115 kilogramësh marijuhanë. Shoferi shqiptar i automjetit, që teorikisht transportonte dushkë nga Shqipëria në Napoli, është arrestuar me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

51 pakot e marijuhanës, të paketuara më së miri, u gjetën në kabinën e shoferit ku ishte krijuar një dysheme e dyfishtë. Sipas të dhënave të para, automjeti kishte si destinacion Napolin ku mendohet se droga do të shpërndahej me pakicë, me një fitim prej mbi një milionë eurosh.

Po në Romë, policia zbuloi një bazë shpërndarjeje kokaine. Tre shtetas shqiptarë, me lidhje familjare mes tyre, furnizonin një pjesë të mirë të zonës periferike veriore të kryeqytetit. Vetëm gjatë dy muajve të hetimeve, forcat e rendit patën regjistruar 180 episode shitjeje.

Baza ishte banesa e njërit prej kushërinjve shqiptarë të cilët kishin krijuar një rreth të gjerë përdoruesish. Për të mos rënë në sy, jo rrallë droga shitje e blihej në prani të fëmijëve.

Top Channel