Tiranë, zjarr në laboratorin e kriminalistikës

05/11/2015 09:00

Përmes një informacioni më të zgjeruar, Policia e Shtetit ka njoftuar të tjera detaje mbi zjarrin e rënë mëngjesin e kësaj të enjteje në Laboratorin qendror të Kriminalistikës, në Drejtorinë e Policisë Shkencore, e cila ndodhet brenda territorit të Gardës së Republikës.

Vatra e zjarrit është konstatuar rreth orës 2 e 15 pas mesnate dhe është raportuar menjëherë në sallën operative të Policisë së Tiranës, duke njoftuar gjithashtu edhe shërbimin zjarrfikës, të cilët ndërhynë më pas për izolimin dhe shuarjen e tij.

Për këtë ngjarje është njoftuar edhe zyra e kryeprokurorit Adriatik Llalla, ndërkohë që në vendngjarje mbërriti prokurori i gatshëm i Prokurorisë së Tiranës për të nisur hetimet. Grupi hetimor, i ngritur me ekspertë të fushës nga OSHEE, nga shërbimi zjarrfikës dhe oficerë të Policisë Gjyqësore, por edhe specialistë të hetimit të krimit në SHÇBA, ka vijuar veprimet për gjetjen e shkaqeve të rënies së zjarrit.

Paraprakisht thuhet se shkak i tij ka qenë një shkëndijë elektrike në një kabëll të korridorit të katit të dytë të godinës, por më saktësisht shkaqet do të bëhen të ditura në fund të verifikimeve.

Top Channel