Hedhja në votim e kërkesës së Partisë Demokratike për hetim ndërkombëtar të çështjes CEZ në seancën parlamentare, ka risjellë këtë çështje në Kuvend pas akuzës së ish-kryeministrit ndaj ministrit Gjiknuri për favorizimin e DIA-s prej tij.
“Ju leverdiste ta mbanit DIA-n pasi e kuptuat që ajo ishte minierë floriri”, tha Berisha.
“Me mënyrën si e privatizove, i shkaktove 200 milionë dollarë dëm shtetit. Rrite dhe borxhin e keq 16.85% dhe me këtë vendim i shkaktove 140 milionë euro dëm. Ke vendosur të ulësh çmimin e KESH-it”, u përgjigj Gjiknuri.
Pas kësaj, Berisha tha se ministri nuk di se çfarë flet: “Ti po akuzon veten. Pranoje dhe kërko gjykim të shkurtuar”.
Ish-kryeministri ka mbajtur edhe këtë seancë flamurin e denoncimeve opozitare, për atë që e quan vjedhja e qeverisë me tenderat publike. Vetë Komisioni Shtetëror i Kontrollit të Tenderave, nga rreth 700 të zhvilluara nga kjo qeveri, ka denoncuar si abuzive gjysmat e tyre, tha Berisha, që fokusin e vendosi tek një tjetër tender për makina të reja shtetërore: “Me një vendim sekret, qeveria ka porositur 42 vetura. Tani ka porositur 3 Benza për 1 milionë e 200 mijë euro. Buxheti shkon për prapanicën e qeveritarëve”.
Ishte kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe ai që i kërkoi Berishës të shohë shpenzimet qeveritare për luksin gjatë qeverisjes së tij. 92 milionë lekë të shpenzuara brenda vendit, 179 mijë euro në udhëtime jashtë, ishin shpenzimet e një ish-funksionari të lartë të qeverisjes Berisha, që Erjon Braçe lexoi në Kuvend, duke shtuar se maja e abuzimit kanë qenë shpenzimet për karburant të kësaj funksionareje: “Për 4 makinat, 123.2 ton naftë e paguar nga buxheti i shtetit. Ky zyrtar është një nga 3 udhëheqësit e mëdhenj që bëjnë sikur qajnë për hallet e shqiptarëve”.
Ndërkohë, deputeti socialist Koço Kokëdhima, tha: “Saliu është nga ata viktima që ka nusëruar dy herë dhe që nuk ka më asnjë shans tjetër. Je kufomë, dhe kur je këtu, edhe kur ikën”.
Top Channel