Lushnjë, ndalohet zyrtari i LSI-së në nënprefekturë

04/11/2015 11:30

Drejtori i Emergjencave Civile në nënprefekturën e Lushnjës, Robert Shtëmbari, është ndaluar nga Policia e Fierit për llogari të Prokurorisë së Lushnjës. Prokurorja Rovena Bozo ka kërkuar ndalimin e 55-vjeçarit Shtëmbari me akuzën e “korrupsionit pasiv të ushtruar nga punonjësi me funksione publike”.

Sipas burimeve konfidenciale, drejtori i Emergjencave Civile në Lushnjë, Robert Shtëmbari, ka marrë para’ në këmbim të ofrimit të një vendi pune. Bëhet fjalë për rreth 1 milionë lekë të vjetra që drejtori i Emergjencave Civile i ka kërkuar një qytetari nga Lushnja.

Ndërsa, sipas Prokurorisë së Lushnjës, çështja është ende në hetim dhe deri në caktimin e masës së sigurisë hetimet janë pjesë e sekretit hetimor.

Robert Shtëmbari është emëruar drejtor i Emergjencave Civile në nënprefekturën e Lushnjës nga Lëvizja Socialiste për Integrim pas zgjedhjeve të vitit 2013. Lidhjet e tij me kreun e LSI-së së Lushnjës, Albert Sanxhaku, i kanë krijuar mundësinë për veprime të jashtëligjshme, siç është punësimi në këmbim të ryshfetit. Ky është funksionari i tretë në Lushnjë nga radhët e LSI-së që ndalohet nga policia për korrupsion pasiv.

Top Channel