Forumi ekonomik, përfitimet e Kosovës nga donatorët e huaj

26/10/2015 00:00

Në takimin e Forumit të nivelit të lartë, organizuar të martën nga Ministria e Integrimit Europian, u bë e ditur se, vitin e kaluar, Kosova ka përfituar donacione me vlerë prej 212 milionë eurosh për zhvillimin e sektorëve më të rëndësishëm.

Nga 22 donatorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ato të Bashkimit Europian mbeten vendet, që kanë mbështetur më së shumti Kosovën.

“Ne kemi bërë një progres të jashtëzakonshëm viteve të fundit, i cili është arritur falë partneriteteve dhe bashkëpunimit që kemi pasur. Qeveria e Kosovës ka miratuar programin e saj qeverisës dhe kemi vendosur zhvillimin ekonomik në epiqendër të punës sonë. Çdo burim në dispozicion, e kemi vendosur në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, përmes zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë dhe integrimit euroatlantik”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa bëri të ditur se të mërkurën, bashkë me ministrin e Integrimit Europian, Bekim Çollaku, do të nënshkruajnë marrëveshjen për MSA-në në Strasburg. Duke folur për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, kryeministri tha se Kosova do të jetë përfituese e madhe në shumë fusha, e veçanërisht në ekonomi.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delaëie theksoi se, për të pasur qëndrueshmëri ekonomike, Kosovës i nevojitet përparim në të gjitha shtyllat e strategjisë kombëtare.

“Nevojitet përparim në të gjitha shtyllat e strategjisë kombëtare, në mënyrë që Kosova të arrijë qëndrueshmëri ekonomike. Kosova duhet të zhvillojë kapitalin njerëzor, duke përmirësuar sundimin e ligjit, rritjen e konkurrencës në sektorin privat dhe zhvillimin e infrastrukturës. Këto shtylla janë gjithashtu në të njëjtën linjë edhe me përpjekjet e ambasadës amerikane për përmirësimin e sundimit të ligjit, sigurisë rajonale dhe zhvillimin ekonomik. Ne kemi qenë partnerë në zhvillimin e Kosovës gjatë 16 viteve të kaluara dhe e mbështesim plotësisht qëllimin e strategjisë kombëtare për zhvillimin dhe integrimin europian”, tha Greg Delaëie, ambasador i SHBA-ve në Kosovë.

“Koordinimi me anë të autoriteteve kosovare është i domosdoshëm për të marrë përfitime më të mira në të gjithë asistencën, pasi kanë ndikime në zhvillimin ekonomik. Në 2014-n, rritja ekonomike ka qenë vetëm 0.9 për qind, por Kosovës i nevojitet një rritje shumë e madhe ekonomike, për të pasur të njëjtin hap me rajonin. Bllokada e Kuvendit të Kosovës nuk ka ndihmuar në këtë çështje, ndërsa përmirësimi i mjedisit të biznesit është kyç. Po ashtu, Kosova duhet të zvogëlojë ekonominë joformale”, tha Thomas Gnocchi, shef i zyrës për Politikë, Ekonomi dhe Integrimin Europian, në selinë e BE-së në Kosovë.

Në vitin 2014, mbështetja më e madhe është bërë në zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, në arsim, kulture dhe rini.

Top Channel