Dorëzohet i kërkuari i Lazaratit, në arrati që prej qershorit 2014

26/10/2015 15:15

Klajdi Karemani është një nga 16 të pandehurit e dosjes “Lazarati 1”, i cili ka jetuar në arrati për mbi një vit, që kur policia hyri në fshatin e drogës duke ndërmarrë një operacion disaditor për vendosjen nën kotroll të tij.

Mesa duket, i riu nga Patosi nuk i rezistoi dot më presionit të të jetuarit në kërkim dhe për këtë ka marrë vendimin të vetëdorëzohet tek prokurorët e Krimeve të Rënda, që po e hetojnë atë në mungesë.

“Jam 25 vjeç dhe kam ardhur në gjykatë për t’u paraqitur për ato që më akuzojnë, për trafik narkotikësh dhe për pjesëmarrje në grupin e parë të Lazaratit. Kam rreth 6 muaj në kërkim, që nga koha kur më kanë shpallur emrin. Të jetosh kështu do të thotë të jetosh duke iu fshehur drejtësisë dhe policisë. Ishte njësoj si të rrija në burg, vetëm se isha i fshehur”, thotë Karemani.

Për të është vendosur masa “arrest me burg” në mungesë, ndërsa në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë zhvilluar shtate seanca për të bashkëpandehurit me të, siç janë Gate Mahmutaj, Vandam Mahmutaj, Arjan Basha, Florian Shurdhi, Ramadan Basha dhe Gurgaz Skënderi. Aktualisht të kërkuarit po synojnë gjykimin e shkurtuar.

“Në Lazarat nuk kam qenë. Kam këtë shokun, por e kam njohur me njerëz të tjerë”, thotë më tej 25-vjeçari.

“Tre nga ata të grupit të strukturuar të Lazaratit u kanë shitur këtyre drogën dhe meqenëse është proces i lidhur, edhe këta janë futur në grupin e Lazaratit”, sqaron më tej avokati i tij, Idajet Beqiri.

Ndaj grupit të Lazaratit një prokurori ka ngritur akuzat e “kultivimit të bimëve narkotike”, “kundërshtim të policisë” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Top Channel