Arrestohen 4 punonjës të Policisë Kufitare të Rinasit

25/10/2015 20:50

Katër punonjës të Policisë Kufitare të Rinasit, të akuzuar për “shpërdorim detyre” janë arrestuar pas një hetimi të Prokurorisë së Tiranës lidhur me një informacion të ardhur nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesa në Ministrinë e Brendshme.

Nga hetimet ka rezultuar se në një numër të konsiderueshëm rastesh, ku, me ndërhyrjen ose dakordësinë e përgjegjësit Isa B., kontrolloret Evjon M., Migena Q. dhe Florida M. kanë lejuar kalimin e kufirit të shtetasve të ndryshëm shqiptarë, të cilët nuk plotësonin kriteret e udhëtimit, kishin dokumente të falsifikuara, dokumente të skaduara ose persona të akuzuar për vepra penale te ndryshme.

“Ne materialin hetimor ka rezultuar se këta shtetas, pasi komunikojnë me persona të ndryshëm qytetarë me edhe pa njohje të mëparshme, bëjnë verifikime në sistemin TIMS për emra personash, gjeneralitetet e të cilëve ju jepen si porosi nga persona të tretë dhe,  pasi zhvillojnë takime me ta, bien në kompromis për lejimin e kalimit të kufirit pa pasur pengesa nga punonjësit e Policisë Kufitare, nëpërmjet shmangies së kontrollit kufitar, pavarësisht se këta persona mund të jenë me precedentë penalë, persona në kërkim, mund të mos justifikojnë qëllimin e vizitës së tyre, mund të mos kenë dokumentacionin e duhur për të udhëtuar jashtë shtetit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Nga hetimet e deritanishme rezultojnë të dokumentuara 42 raste ku këta 4 punonjës kanë lejuar kalimin e kufirit në shkelje me ligjin. 

Top Channel