Kosovë, policia arreston 10 protestues

24/10/2015 12:35

Policia e Kosovës njofton se gjatë ndërhyrjes së mbrëmshme për të shpërndarë protestuesit e opozitës të grumbulluar përpara godinës së Parlamentit, janë arrestuar dhjetë persona.

Në komunikatë theksohet se si pasojë e dhunës është lënduar një zyrtar i policisë.

“Njësitet policore gjatë veprimeve të tyre kanë arrestuar dhjetë protestues të dhunshëm, të cilët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Kosovës sqaron se si pasojë e dhunës së shprehur nga disa protestues është lënduar një zyrtar policor, i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Protestuesit ishin grumbulluar në mbështetje të kërkesave të opozitës së Kosovës, e cila kundërshton kalimin në Kuvend të marrëveshjeve të arritura me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Për të disatën herë me radhë, seanca e Kuvendit, ku në rend të ditës ishin këto dy pika, ka dështuar si pasojë e hedhjes në sallë të gazit lotsjellës dhe sendeve të tjera të forta nga ana e deputetëve të opozitës.

Top Channel