Elbasan, zbardhet grabitja e filialit të postës; pranga autorit

24/10/2015 20:55

Nëntë ditë pas grabitjes me armë të filialit të postës ku shpërndaheshin pensionet, policia e Elbasanit ka bërë të mundur identifikimin dhe më pas arrestimin e autorit.

Specialistët e hetimit të krimeve kanë finalizuar me sukses operacionin “I vetmuari”, duke vënë në pranga 40-vjeçarin Marcelo Kuqja, nga fshati Marinzë.

Policia ka mundur të zbardhë ngjarjen duke marrë pamjet filmike të kamerave të vendosura në bulevard.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar nje automjet “Benz”, i tipit “C Class” me targë “AA 874 MJ”, që sapo ishte blerë nga 40-vjeçari me 4 mijë euro; çanta që ka shërbyer për transportin e parave para dhe pas grabitjes, rrobat e përdorura; doreza plastike dhe një kapele sportive.

Policia sqaron më tej se Marcelo Kuqja, i vetëm e i maskuar ka hyrë më datë 15 tetor në zyrën postare dhe në saj të kërcënimit me një armë automatike ka mundur t’i marrë punonjëses një shumë prej 1.5 milionë lekë.

Mësohet se autori nuk ka bërë rezistencë ndaj policisë. Ai ka pranuar autorësinë duke deklaruar se prej kohësh e ruante filialin e postës duke mësuar me detaje datën kur vinin paratë dhe kur niste ndarja e pensioneve.

Materialet në ngarkim të kësaj ngjarjeje i kanë kaluar prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme.

Top Channel