Kryeministri Edi Rama, duke drejtuar pasditen e së premtes mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, ka pasqyruar rezultatet e dertanishme të operacionit kundër informalitetit, të cilat sipas tij tregojnë se vendi ka hyrë në një nivel të ri të ligjshmërisë ekonomike.
Sipas Ramës, deri më 18 tetor janë kryer 94 mijë kontrolle në gjithë vendin dhe veç gjithë fluksit të vetëregjistrimeve, që sipas tij ka qenë shumë i lartë, ka pasur një numër të konsiderueshëm konstatimesh për subjektet që ushtronin veprimtari pa qenë të regjistruara.
“Janë 831 subjekte. Ndërkohë që janë mijëra e mijëra subjekte të regjistruara në mënyrë vullnetare, janë 5.777 subjekte të papajisura me kasë fiskale, 902 subjekte që nuk lëshonin kuponin tatimor dhe 813 subjekte me punonjës të padeklaruar”, ka deklaruar Rama.
Ndërkohë, numri i punonjësve të formalizuar ka kaluar sipas kryeministrit në 80 mijë njësi, një shifër kjo e konsideruar prej tij si “absolutisht spektakolare”.
“Ndërkohë që vetëm në këtë periudhë prej 48 ditësh kemi tetëfishim të numrit të pajisjeve fiskale që raportojnë në sistemet e tatimeve, ose 700 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014. Janë lidhur 17 mijë kontrata të reja për pajisje fiskale, ose 1 mijë për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, me përjashtim të karburanteve. Ka një rritje prej 55 milionë të numrit të kuponëve tatimorë të lëshuar, ndërsa xhiroja e deklaruar është rritur me 52 për qind, çka përbën një arsye të fortë për të besuar se potenciali është ende gjerësisht i pashfrytëzuar”, ka thënë Rama.
Shefi i qeverisë ka vënë gjithashtu në dukje se, nëse në korrik rezultonin 108 mijë e 871 biznese aktive, sot rezultojnë 134 mijë e 328 të tilla. “Pra, nga 1 shtatori deri më 18 tetor janë regjistruar 25 mijë e 457 biznese të reja më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë”, ka saktësuar Rama.
Në muajin shtator janë regjistruar gjithashtu 82 mijë e 972 punonjës të rinj dhe ende pa u mbyllur deklarimi për tetorin kemi 13 mijë e 560 punonjës të rinj më shumë se në shtator. “Do të thotë që në total, vetëm në këtë periudhë, janë 66 mijë e 532 vende të reja pune të formalizuara”, ka vijuar Rama.
Nga ana tjetër, ka shtuar ai, “jemi në kushtet e një zhvillimi historik sa i përket zhvillimit të bujqësisë”. “Kemi 10.500 fermerë që kanë paraqitur kërkesat për t’u pajisur me NIPT dhe në një kohë rekord, për të mos u penguar punën, u janë dorëzuar NIPT-et 9.200 fermerëve. Dhe fare pranë përmbylljes janë NIPT-et për 1.300 të tjerët”, ka nënvizuar Rama.
“U bëj thirrje fermerëve që synojnë të përfitojnë nga mbështetja me grante, me kredi dhe programet e tjera që të pajisen me NIPT, pasi mospajisja i bën ata të pakualifikueshëm”, ka apeluar kryeministri, i cili ka paraqitur edhe të dhëna të tjera.
“Kemi të dhëna shumë pozitive lidhur me portofolin e xhiros për shtatorin, që do të thotë se kemi një biznes të vogël me rritje aboslute prej 86 për qind dhe kemi një biznes të vogël që kthehet në subjekt të TVSH-së me 74 për qind. Pra, ulja e informalitetit ka sjellë edhe parakushtin për një rivlerësim real të biznesit të vogël dhe rivlerësim real të çdo subjekti që futet në skemën e TVSH-së. Ndërsa biznesi i madh ka një rritje me 35 për qind kundër së njëjtës periudhë të një viti më parë”, ka thënë Rama.
Ai u është përgjigjur edhe skeptikëve të këtij aksioni, përfshirë këtu Dhomën Amerikane të Tregtisë. “Më vjen keq që nuk shoh këtu drejtuesin e DHAT, pasi dua që para se të bëjë lloj lloj deklaratash ndaj këtij operacioni, t’u tregojë shqiptarëve se çfarë i ndodh në Shtetet e Bashkuara dikujt që kapet në evazion apo që shet pa kupon tatimor. Pasi ta bëjë këtë, atëherë le të vijojë dhe të na tregojë se ç’duhet të bëjmë më mirë”, është shprehur Rama.
Ai ka bërë me dije se, qeveria do që në një afat të arsyeshëm të sjellë një ulje të taksave, por për ta pasur këtë duhet të ketë një rritje të kontributeve. “Dhe sot në rajon, ne jemi vendi me kontributet më të vogla nga detyrimet tatimore në GDP”, ka saktësuar Rama.
Ai ka paralajmëruar se, krahas këtij operacioni qeveria do të hyjë në një fazë të re me një veprim shumë intensiv për lehtësimin e procedurave, “por për të arritur këtu duhen më shumë kontribute”.
“Do të hyjmë në një reformë të re strukturore për të shkurtuar numrin e inspektoriateve, për t’i bashkuar ato në dy linja kryesore, ushqimore dhe joushqimore dhe njëkohësisht për të minimizuar kontaktet e biznesit me shtetin. Sa më shumë kontakte, aq më shumë burokraci, pengesa e korrupsion. Sa më pak kontakte, aq më pak burokraci, pengesa dhe korrupsion”, ka shtuar Rama.
Duke bërë të ditur se, për pak kohë hyn në fuqi ligji i ri që përcakton shumë qartë detyrimet e palëve, kryeministri ka bërë me dije se, qeveria ka nisur konsultimet me biznesin për paketën e re fiskale.
“Për të gjitha bizneset që nuk duan të kenë kontroll të drejtpërdrejtë mund të kontraktojnë auditimin, ta bëjnë atë vetë dhe në bazë të tij administrata tatimore bën analizat e veta. Kjo ka qenë pjesë e programit tonë qeverisës dhe kërkesë e biznesit, që sjell uljen e kontakteve mes shtetit dhe biznesit”, ka sqaruar ai.
Top Channel