Kosovë, FMN paralajmëron për ngadalësim të ekonomisë

23/10/2015 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron ngadalësim të Kosovës në ekonomi, nëse vazhdon bllokada institucionale. Kreu i misionit të FMN-së, Jacque Miniane tha se, një situatë e tillë ndikon në ngadalësimin e reformave ekonomike dhe humb besimin e investitorëve të huaj.

Këto komente, ai i bëri në një konferencë për media në qeverinë e Kosovës, me rastin e përfundimit të vizitës së delegacionit të FMN-së në Kosovë.

“Jemi të shqetësuar me disa çështje që po vazhdojnë në Kuvendin e Kosovës. Dua të theksoj diçka shumë të qartë, ne nuk kemi fare rol apo mandat që të themi nëse ky grup apo ai grup ka të drejtë. Këtë nuk mund ta themi kurrë, por unë do t’iu them vetëm diçka: Vonesat, zvarritjet në Parlament në miratimin e ligjeve kyçe, do të jenë në dëm të të gjithëve. Nëse Kuvendi nuk do të jetë në gjendje t’i miratojë ndryshimet që lidhen me financat publike në kohë, kjo do të prekë edhe qytetarët e Kosovës. Nëse nuk miratohet buxheti i vitit 2016 në kohë, kjo do të prekë të gjithë. Kjo do të cënojë edhe besimin e investitorëve të huaj në Kosovë”, tha Jacque Miniane, kreu i misionit të FMN-së.

Ministri kosovar i Financave tha se janë dakordësuar me FMN-në për reformën e ligjit për menaxhimin e financave publike, në mënyrë që Kosova të mund të marrë kredi të buta tek institucionet financiare ndërkombëtare, për të financuar projekte të mëdha zhvillimore. Një çështje tjetër është edhe rritja e buxhetit për skemën e pensioneve, për të cilën – sipas ministrit Hoti, – nga 68 milionë, buxheti do të bëhet 98 milionë lekë.

“Ne kemi 40 mijë pensionistë, të cilët marrin një pension prej 140 eurosh në muaj. Ligji ka hyrë në fuqi për skemat e pensioneve të financuara nga shteti, të cilat duhet të kategorizohen në varësi të nivelit të arsimit, përvojës, etj. Tashmë është Ministria e Punës, që do të zhvillojë legjislacionin dytësor, pra udhëzimet administrative, ku do të përcaktohen kriteret për të kategorizuar këta 40 mijë veta dhe kriteret e tjera për të futur në funksion skemat e pensioneve familjare edhe të invaliditetit. Për shumën e pensionit do të vendoset sapo t’i kemi shifrat, por maksimumi që ne kemi ndarë është 23 milionë euro shtesë”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave.

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) vizitoi Prishtinën në periudhën 12-23 tetor, për të kryer rishikimin e parë të programit ekonomik të Kosovës, të mbështetur me “Marrëveshjen Stand By”.

Top Channel