AAK bën thirrje për mosmbajtje të seancës

23/10/2015 00:00

Në një deklaratë për shtyp, AAK i bën thirrje kryetarit të Kuvendit, Veseli, të mbyllë seancën, ndërsa kryeministrit Mustafa, të largojë ato që i AAK-ja i quan “taborre”, duke iu referuar forcave të shumta policore, që po sigurojnë Kuvendin.

“Qeveria është ajo që duhet t’i thërrasë arsyes dhe të mos e vazhdojë provokimin e saj dhe lojën me nerva. Ata që këmbëngulin në mbajtjen e seancës në mesnatë nuk janë as politikanë të përgjegjshëm, e as ia duan të mirën këtij vendi. Nuk kapërcehen gabimet tuaja katastrofike me të tilla lojëra të ulta. Prandaj, mbylleni seancën dhe tërhiqni marrëveshjet, që instalojnë Serbinë në Kosovë dhe, që Malin e Zi e ulin këmbëkryq në Bjeshkët e Rugovës. Kreyministër, nëse nuk je burrë të përballesh me gabimet e tua, shko në shtëpi dhe mos vazhdo me lojëra të rrezikshme! Fati i individit apo ndonjë grupi nuk mund të lidhet me fatin e vendit. Të gjithë ata, që nuk e kuptojnë seriozitetin e situatës së krijuar dhe që bëjnë provokime të kësaj natyre, nuk do t’ia dalin. Prandaj tërhiqni taborret dhe mos e sabotoni mundësinë e mbrojtjës së këtij vendi! Mos provokoni as veten, as neve dhe asnjë njeri normal në këtë vend, që s’po e kupton se përse keni vendosur, që punët t’i bëni natën”, shkruhet në deklaratën e AAK-së.

Ndërkohë, zv.kryeministri Thaçi ka dalë pak minuta më parë nga ndërtesa e Kuvendit, ku ishte te kryeparlamentari, Kadri Veseli, për të diskutuar për hapat e mëtejshëm të vazhdimit të seancës. Gjithsesi, ende nuk dihet ora e saktë, se kur do të rifillojë seanca e shtyrë nga ora 20 e mbrëmjes së të premtes.

Top Channel