Prishtinë, Delawie takon Veselin: Jo dhunë në Kuvend

22/10/2015 00:00

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie ka zhvilluar këtë të enjte një takim me kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në fokus të takimit ka qenë kriza politike që ka përfshirë vendin, sidomos pas përgjigjes negative të partive të opozitës ndaj ftesës së presidentes Jahjaga për dialog.

Në përfundim të takimit, në një deklaratë për mediat, ambasadori Delawie ka deklaruar se Kuvendi do të zhvillojë seancën e thirrur për të premten, pasi sipas tij, kjo është shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

Diplomati amerikan ka thënë se njerëzit që sjellin armë dhe dhunë në Kuvend po dëmtojnë ekonominë e Kosovës, po pengojnë njohjet e saj dhe po e izolojnë atë.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin Kosovën në aspiratat e saj, por të gjithë duhet të respektojnë normat demokratike”, ka thënë Delawie.

Në të njëjtat linja, kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se, Kuvendi nuk është vendi ku duhet të shihet dhunë, por ku duhet të diskutohet dhe miratohen ligje për qytetarët e vendit.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të premten të jenë në seancë dhe të kontribuojnë me diskutimet e tyre dhe jo të nxisin konflikte.

“Kosova ndodhet në momente shumë të rëndësishme për njohje dhe anëtarësime të reja dhe në këto procese të gjithë duhet të jemi bashkë”, ka thënë Veseli. 

Top Channel