Kosovë, shfuqizohet shkarkimi i rektorit të UP-së

22/10/2015 12:00

Shkarkimi i rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, mblodhi këtë mëngjes para ministrisë së Arsimit në Prishtinë dhjetëra  protestues.

Edhe pse ministri i Arsimit, Arsim Bajrami e shfuqizoi vendimin e Këshillit drejtues të Universitetit, duke i hapur rrugë kthimit të Zejnullahut si rektor, sërish protestuesit vazhduan me kërkesa të tjera.

Rron Gjinovci – nga shoqëria civile, – tha se, me kthimin e rektorit po vendoset standardi i cilësisë, por i dha ultimatum ministrit t’i realizojë kërkesat e tjera deri të mërkurën e ardhshme, përndryshe protestat do të vazhdojnë.

“Shkarkimin e Këshillit drejtues dhe emërimin e një organi të përkohshëm, ku gjysma janë ekspertë ndërkombëtarë; shkarkimin e dekanëve dhe emërimin e ushtruesve të detyrës; ndryshimin e ligjit për Arsimin e Lartë, që të pamundësohet ndikimi partiak në universitetet publike; si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të pandikuara politikisht në UP deri në maj të vitit 2016”, tha Rron Gjinovci, përfaqësues i shoqërisë civile.

Reagimi publik pro rektorit ka mbledhur si kurrë më parë në një kor të vetëm, që nga Presidentja e vendit, kryeiminstri e deri tek opozita kosovare. Në përkrahje të rektorit është shprehur zyrtarisht edhe zyra e BE-së në Kosovë.

Ndërkohë, Këshilli drejtues i UP-së ka sqaruar vendimin e marrë me 6 vota të mërkurën pasdite, por duke e cilësuar si brutale ndërhyrjen e ministrit Bajrami, i cili menjëherë pas vendimit për shkarkimin e rektorit, shkarkoi edhe kryetaren e këtij këshilli, Shefkije Islamaj.

“Shkarkimi i rektorit Zejnullahu është rrjedhojë e situatës së krijuar me keqmenaxhim e UP-së, bllokimin e Senatit, shkeljet e statutit, shkeljen e rregullores së punës së Senatit, dëmtimin e buxhetit me vendim gjyqësor, përdorimin e fjalorit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj stafit akademik, adminsitrativ dhe të universitetit. Kërkesa për shkarkim është nisur me kërkesë të 2/3-tave të senatorëve dhe është bërë në përputhje të plotë me nenin 31, pikën 2 të Statutit të UP-s dhe rregulloren e punës së KD-së”, thuhet në reagim.

Top Channel