Rivitalizimi i urës së Ibrit, BIK kërkon ringritjen e xhamisë

21/10/2015 00:00

Pas nisjes së punimeve për heqjen e “Parkut të paqes” në urën e lumit Ibër, në Mitrovicë, ka reaguar Bashkësia Islame e Kosovës, duke kërkuar që në kuadër të planit për lirimin e urës të përfshihet edhe ndërtimi i xhamisë së Ibrit, e cila është djegur nga forcat serbe në vitin 1999.

“Kryesia e BIK përshëndet e përkrah fuqishëm arritjen e marrëveshjes për heqjen e ‘Parkut të paqes’ dhe rivitalizimin e urës së Ibrit, kthimit të saj në funksionin primar, mirëpo shpreh shqetësimin se, gjatë procesit të bisedimeve dhe në marrëveshjen e arritur, nuk është parashikuar edhe rindërtimi i Xhamisë së Ibrit “Haxhi Kërxha”, e shkatërruar gjatë luftës së 1999-s. Kërkojmë nga të gjithë faktorët respektivë, negociatorët tanë, ndërmjetësit ndërkombëtarë, përfaqësuesit diplomatik, dy kryetarët e Mitrovicës, që në kuadër të planit për lirimin e urës së Ibrit të përfshihet edhe ndërtimi i xhamisë, aty ku ka qenë”, thuhet në reagimin e BIK-ut.

Më tej, në komunikatën e tyre bëhet e ditur se, ata nuk pajtohen me tentativën për uzurpimin dhe tjetërsimin e truallit të xhamisë, pasi BIK-u është pronare e vetme legjitime.

Sipas BIK-ut, ndërtimi i xhamisë së Ibrit, përveç se do të sillte drejtësi në vend, do të ndikonte pozitivisht edhe në rënien e tensioneve ndëretnike dhe krijimin e tolerancës e bashkëjetesës.

Top Channel