Për të folur për situatën dhe zhvillimet në Malin e Zi, i ftuar në studion e “Revistës Televizive të Mbrëmjes” ishte ambasadori i këtij shteti në Tiranë, Ferhat Dinosha, i cili para se të merrte statusin e diplomatit ka qenë edhe drejtues i Unionit Demokratik Shqiptar në Malin e Zi.
Dinosha përsëriti qëndrimin e palëkundur të Podgoricës zyrtare për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian si dhe në NATO. Ai tha se në protestat e organizuara nga një pjesë e opozitës ka interesa ruse dhe perëndimore, por Mali i Zi do të shikojë interesat nacionale të saj.
Ish-kreu i Unionit Demokratik Shqiptar foli edhe për pozicionin që kanë zënë shqiptarët në zhvillimet e fundit në shtetin tonë fqinj, duke thënë se ai nuk ka dëgjuar ndonjë lider shqiptar që të ketë përkrahur protestat.
Ai deklaroi se shqiptarët nuk kanë pse të përkrahin forcat opozitare që kanë organizuar protestat, pasi kjo nuk iu ndihmon në përmirësimin e pozitës së tyre në këtë vend.
Pandi Gjata: Çfarë po ndodh në Podgoricë? Çfarë po ndodh në Malin e Zi me këto protesta? A janë këto protesta spontane të një pjese të opozitës, pasi nuk është e gjithë opozita e përfshirë në këto protesta.
Ferhat Dinosha: Nuk është e gjithë opozita dhe protestat janë të planifikuara, janë të organizuara. Sigurisht që opozita ka të drejtën e përdorimit të mjeteve demokratike, por nuk ka të drejtë të kapërcejë këto të drejtë, por fatmirësisht nuk kanë qenë shumë të dhunshme, edhe pse kanë dalë jashtë kufijve të lejes që iu është dhënë nga autoritetet e Malit të Zi për arsye se u zgjat me këto protesta dhe leja ishte për më pak ditë. Organizatorët nuk deshën ta mbyllin me një javë, duke e vazhduar protestën edhe për një javë tjetër dhe bllokuan bulevardin kryesor të Podgoricës ku ka edhe trafik dhe në ato ditë është bllokuar edhe qarkullimi rrugor. Për këtë arsye edhe qytetarët e tjerë u përballën me vështirësi dhe policia iu kujtoi organizatorëve se iu kishte skaduar leja, por ata vazhduan. Mirëpo, situata është e qetë, nën kontroll, për fat të mirë nuk pati pasoja të rënda dhe besoj edhe në të ardhmen…
Pandi Gjata: Këtë të shtunë do të ketë një protestë të re…?
Ferhat Dinoshi:… po do të ketë të shtunën një protestë të re dhe shpresoj ato që të jenë brenda kufijve demokratikë.
Pandi Gjata: A e shikoni koiçidencë këto zhvillime disa javore e që priten të vazhdojnë në muajin dhjetor, ku për Malin e Zi do të merret një vendim i rëndësishëm, pra do të merret ftesa për anëtarësim në NATO?
Ferhat Dinoshi: Sa herë që ka ngjarje të rëndësishme për Malin e Zi, ka forca të caktuara politike të cilat nuk janë të kënaqura me proceset demokratike atje, dhe ndodh që ato të ngrenë zërin e tyre, kësaj radhe e bënë me protesta. Mendoj se edhe kësaj radhe opozita e ka nuhatur se dhjetori i këtij viti do të jetë shumë i rëndësishëm për Malin e Zi. Ne shpresojmë se do të marrim ftesën për anëtarësim në NATO, e cila është njëra nga projektet më strategjike për Malin e Zi, bashkë me integrimin në Bashkimin Europian, dhe në prag të kësaj mund të ketë ndodhur që forca të caktuara opozitare duke qenë të vetëdijshme që nuk kanë mundësi të tjera për të bindur opinionin se duhet të jenë ato që duhet të udhëheqin me shtetin, sillen në këtë mënyrë. Unë mendoj se mund të thuhet se këto forca janë ato të cilat kanë qenë kundër proceseve demokratike për Malin e Zi edhe më parë, pasi në vitin 2006 kur po ngjante referendumi për Malin e Zi shumica prej këtyre forcave e kundërshtonin dhe përkrahnin një projekt tjetër, kështu që mund të ndodh që tani të shohin ndonjë mundësi që të ‘çojnë ujë në mullirin e vetë’, por Mali i Zi ka marrë udhën e vetë të mbarë dhe do të vazhdojë kështu.
Pandi Gjata: Janë reagime të këtyre forcave opozitare që duhet thënë se mbajnë qëndrime edhe pro-serbe në vendimet që kanë mbajtur ndër vite, por jo rastësisht reagimi i parë ndërkombëtar për këto zhvillime në Malin e Zi erdhi nga Moska. Ishte ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov i cili u shpreh i shqetësuar për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve. Kujtoj këtu edhe investimet e shumta ruse në Malin e Zi, a e shikoni një lidhje nga jashtë Malit të Zi për këtë situatë edhe në prag të vendimit për NATO-n?
Ferhat Dinoshi: Mali i Zi është i gatshëm, dhe këtë gatishmëri e përcjell në të gjitha takimet me partnerët ndërkombëtarë, në radhë të parë për fqinjësi të mirë edhe me Beogradin dhe tani marrëdhëniet mes Podgoricës dhe Beogradit janë të mira. Në mesin e forcave të cilat po protestojnë në Mal të Zi ka edhe të tillë që nuk kanë marrëdhënie të mira as me Beogradin, por Mali i Zi ka dëshirë që të ketë marrëdhënie të mira më të gjithë fqinjët, por edhe me shtetet të cilat kanë një rol kryesor në politikën ndërkombëtare. Në këtë drejtim Mali i Zi është i gatshëm që të vazhdojë me marrëdhënie të mira edhe me Rusinë, natyrisht që këta të fundit kanë interesat e tyre në rajon, por edhe Mali i Zi ka interesat e saj nacionale dhe këto interesa nuk do të donim që t’i nxjerrim në pazar me asnjë, nuk bëjmë asgjë për inat të dikujt, Mali i Zi pas rikthimit të pavarësisë më 2006 ka, ndër projektet më strategjike, integrimin në Bashkimin Europian dhe NATO.
Pandi Gjata: Analistë të shumtë thonë që ajo që po ndodh në Malin e Zi është një përplasje e heshtur mes Rusisë dhe Perëndimit, ju e shikoni kështu?
Ferhat Dinoshi: Ne nuk e shikojmë kështu. Mund të ketë interesa të faktorit rus por edhe të atij amerikan ose Perëndimor, por ne tentojmë që të jemi tërheqës për të gjithë dhe me të gjithë të sillemi në mënyrë demokratike. Kushdo që do të respektojë interesat nacionale të Malit të Zi do të jetë i mirëseardhur në kontakte, bashkëpunim, e kështu me radhë.
Pandi Gjata: Nisur nga investimet e shumta ruse në Malin e Zi, a e ka parë Rusia vendin tuaj si një portë për daljen në detin Adriatik dhe anëtarësimi në NATO dhe BE do të thoshte një mbyllje e kësaj porte?
Ferhat Dinoshi: Rrugët ndërkombëtare janë të shumta, nuk mund të përdoret deti Adriatik si dalje e dikujt, në këtë rast e Rusisë. Unë mendoj se zhvillimet ndërkombëtare në të ardhmen duhet të jenë bashkëpunimi dhe jo acarimi i marrëdhënieve, kështu që duke qenë anëtare e NATO-s, Mali i Zi mund të jetë tërheqëse edhe për Rusinë, pra jo vetëm duke mos qenë pjesë e Aleancës.
Pandi Gjata: Në gjithë këtë histori, ku ndodhën shqiptarët, ku janë?
Ferhat Dinoshi: Nuk kam hasur në ndonjë reagim konkret nga subjektet politike shqiptare meqë në Mal të Zi janë disa parti shqiptare, e më duket se janë më shumë se që duhet parti dhe këtë e them si një ish-drejtues i një partie shqiptare e cila ishte shumë e rëndësishme në kohën e referendumit për pavarësinë e Malit të Zi, por ishte edhe parti qeveritare meqë ishim edhe partia e parë minoritare që u bëmë pjesë e qeverisjes që në fund vitet ’90-a, me ofertë që do të punonim për të formuar një ministri për të drejtat e pakicave e që ndodhi në vitin 1998 dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve dha ministër në këtë dikaster dhe kuadrot e Unionit kanë qenë në krye të kësaj ministrie për 14 vite dhe mendoj se kanë dhënë kontributin e vetë në proceset demokratike të Malit të Zi edhe duke qenë pjesë e kësaj ministrie, por edhe në institucionet e tjera të Malit të Zi. Pra, shqiptarët aktualisht nuk e shohin interesin e vet, për përmirësim të pozitës së vet, duke përkrahur ato forca të cilat kanë qenë kundër pavarësisë së Malit të Zi dhe në situatën aktuale nuk kam hasur se ndonjëri nga liderët shqiptarë në Mal të Zi ka përkrahur protestat e kësaj pjese të opozitës.
Pandi Gjata: Do t’i rikthehem edhe një herë asaj pyetjes për të cilën thuhet se ka një përballje në heshtje mes Perëndimit dhe Rusisë në Malin e Zi. Podgorica zyrtare nuk do të lëvizë nga qëndrimi i saj për anëtarësim në NATO dhe BE, edhe pse investimet ruse janë të jashtëzakonshme në këtë shtet apo jo?
Ferhat Dinoshi: Investime ruse ka pasur e ka edhe tani, por Mali i Zi i ka bërë të qarta projektet e saja strategjike, dy janë kryesoret: NATO-ja dhe BE-ja dhe absolutisht nuk ka shanse që të hiqet dorë nga këto për arsye se jemi të bindur që me këto i ndihmohet jo vetëm interesit nacional shtetëror të Malit të Zi, po i vjen në ndihmë edhe proceseve demokratike të rajonit, përgatitjes së rajonit për t’u kyçur si i tërë në Europë dhe kujt i intereson edhe në NATO, por Mali i Zi është i qartë për të ardhmen dhe këtë e bën jo për t’i bërë dikujt keq, përkundrazi për t’i bërë mirë vetes dhe fqinjëve të tij.
Top Channel