Policia e Fierit goditi një grup kriminal të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike duke prangosur dy persona dhe duke sekuestruar 121 kilogramë hashash.
Arrestimet dhe sekuestrimi i sasisë së lëndës narkotike u bënë gjatë operacionit të koduar me emrin “Martinë”, ndërmarrë në fshatin me të njëjtin emër të Levanit.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Bektash dhe Ervis Isufaj, përkatësisht 57 dhe 27 vjeç dhe që të dy banorë të fshatit Martin.
Policia gjeti dhe sekuestroi gjatë kontrolleve në banesën e dy shtetasve sasinë prej 121 kilogramë hashash të ndarë në 10 thasë.
Dyshohet se lënda narkotike ishte përgatitur për tregun italian, ku do të dërgohej përmes një mjeti lundrues në mënyrë klandestinë. Hetimet për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë rrjet trafiku vazhdojnë, ndërkohë që ndaj dy shtetasve Isufaj rëndon akuza e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim.
Top Channel