Dekriminalizimi, misioni “Hapa-dollapa”

15/10/2015 00:00

Aleksandër Çipa – Dekriminalizimi si proces i nisur zyrtarisht si një kauzë e përbashkët e aktorëve ndërkombëtarë dhe opozitës zyrtare, nuk po e zhurmon prej shumë ditësh skenën e debatit dhe atë të politikës në vend.

Natyrshëm që koha është ende para, për ta ndjekur dhe për të parë se deri ku mund të shkohet me të. Ngjau që gjithë kapitulli i bujshëm i afishimit të skandalit për “çështjen CEZ”, të godiste dhe çorodiste marrëdhëniet mes udhëheqësisë së lartë politike e qeverisëse. Një tronditje që çuditërisht nuk la jashtë as krerët e shumicës qeverisëse, as ata të qeverisjes së para 2014-s dhe as ata të opozitës së vjetër “në detyrë” dhe të opozitës së re “me detyrë”. Maja e “ajsbergut”, e zbuluar përkohësisht nga i sërishmbuluari “skandali CEZ”, zbuloi padashur se sa i përbindshëm është në thellësinë e vet korrupsioni qeveritar në vend dhe se si e trashëgon rotacionin ai.

Ky kazus i pazbardhur plotësisht dhe që sipas gjasave ka për të qenë një ndër çështjet që do ta zhurmojë në dy muajt e ardhëm skenën politike në vend, po përdoret si mjeti që kryen më shumë se një funksion. Funksioni i parë duket se ka lidhje me shantazhin që palët politike dhe aktorët dominantë të skenës i bëjnë njëri-tjetrit për arsye dhe qëllime të koniunkturave politike të ditës. Është kjo arsyeja që “çështja CEZ” po e eklipson devizën opozitare për t’i shkuar dekriminalizimit të politikës në fund. Zëri i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, ka ditë që humbet përballë aktivitetit verbal dhe diplomatik që kryen paraardhësi i tij, historiku Sali Berisha. Në të vërtetë, kjo nuk ka lidhje thjesht me nevojën e opozitës për të kompensuar “zërin e pamjaftueshëm” të kryetarit të saj, por ka lidhje me atë që konsiderohet thelbi dhe thellësia e painvestiguar e korrupsionit qeveritar në kohën e tranzicionit. Në këtë mënyrë kasta politike e vendit po rivendos në funksion alibinë e një korrupsioni të madh verbalisht dhe si perceptim populist. Ndërsa rivijon në mënyra më të sofistikuara koha e drejtësisë së paguximshme për të zbardhur dhe për të ndëshkuar “mamuthët apo përbindëshat” e korrupsionit të shtuar dhe të shpërndarë në të dy palët politike të vendit.

Në këtë mënyrë, opozita po jep kontributin e vet të madh për të ndarë betejën kundër korrupsionit nga ajo e dekriminalizimit. Shumicës së majtë kjo i vlen gjithashtu si një taktikë të cilën në kohë të shkuara e ka ripërdorur gati me të njëjtin funksion në raport me kundërshtarët e vet qeverisës.

Kalimi nga një kazus, pa e çuar atë gjer në fund, te një tjetër që zbulohet befas dhe thjesht për të shkaktuar tronditjen e publikut dhe të elektoratit, po vlen si një qëllim i vjetër për të ruajtur status-quonë apo thjesht stanjacionin e krizës për drejtësi që karakterizon kohën e mender “tranzicionit”. Dhe kjo nuk do shumë mund dhe kërkim për t’u faktuar. Gjatë dy viteve të fundit dhe natyrshëm edhe gjatë tërë viteve të shkuara, në asnjë rast mediat dhe publiku shqiptar nuk kanë pasur mundësinë të ndjekin dhe të pasqyrojnë gjer në fund një proces drejtësidhënieje apo mbylljeje që mund të ketë lidhje me skandalet alla shqiptare, të cilat e kanë listuar Shqipërinë si vendi me progres, por pa “stabilitet juridik”. Ky konstatim serioz, i pohuar së pari prej Kancelares Gjermane Merkel, gjatë vizitës së vitit të shkuar në Tiranë, është tashmë një ndër pohimet më serioze për krizën apo apoteozën e drejtësisë shqiptare. Kjo apoteozë rikonfirmohet bujshëm sa herë kemi skandale, madje edhe në muaj të tillë si ky i tanishmi kur Parlamenti dhe partitë politike po afishojnë debatin e vjetër për reformën në sistemin e drejtësisë. Të gjitha këto çështje, përfshi edhe kazusin për skandalin CEZ, janë në një kontekst brendi e nevojës akute për reformimin e drejtësisë dhe sistemit në tërësi. Mirëpo, kur vëren se si dy apo tri palët e mëdha partiake në vend, kanë qasje dhe diferenca që lehtësisht lexohen si qëndrime apo diversitete për shkak të rrezikut vetëndëshkues që paraqet kjo reformë reale, atëherë bindesh se, edhe kësaj here, po përgatitet “komedia serioze” e një klase qesharake.

Kjo sipërmarrje formale po parathotë edhe mbytjen e shoqërisë dhe publikut tek iluzioni se në këtë vend nuk ngjet asgjë që mund të shënojë hop apo ndryshim rrënjësor. Iluzioni për rilindjen tashmë nuk është më thjesht një arsye që buron prej goditjes apo kontestimit opozitar, por prej tërësisë së panoramës dhe zhvillimeve që ngjasin në qeverisje, në jetën institucionale dhe në atë që ndryshe mund të quhet diversiteti komik ndërinstitucional. Dasitë mes pushteteve dhe sidomos diversitetet mes krerëve të shtetit dhe të institucioneve, por edhe vetë filozofia e një “bashkëjetese në qeverisje mes të ndarëve që thellojnë ndarjen e pakryer”, përbëjnë një pengesë të madhe për leximin paraprak të dështimit me dekriminalizimin, me reformimin e sistemit të drejtësisë dhe fatkeqësisht edhe me rrënimin e besimit se një ditë do të mbërrijmë te shteti i së drejtës. Kjo lojë dhe skemë politike që e përdor dhe trajton shantazhueshëm dekriminalizimin si lojën popullore të “hapadollapa”, do të shumëfishojë edhe kontradiktat, por edhe depresionin qytetar në këtë vend. Për kësi arsyesh dhe sidomos për të mos abuzuar me investimin që institucionet komunitare dhe ato ndërkombëtare pretendojnë se kryejnë në Shqipëri, nevojitet të rikthehet imponimi dhe sidomos asistenca burokratike SHBA-BE për reforma substanciale dhe jo reforma koniukturale.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA