Akuza shqiptarit në Angli, ngacmoi seksualisht dy vajza në metro

15/10/2015 00:00

Një i ri shqiptar në Londër ka dalë përpara gjykatës, i akuzuar për ngacmim seksual të dy vajzave në një metro, teksa ato i kishte zënë gjumi.

Sipas portalit “CourtnewsUK”, Aniston Mareda, 22 vjeç, i cili u identifikua nga sistemi i kamerave, e kreu ngacmimin seksual ndaj dy vajzave kur po udhëtonte me linjën e metrosë “Northern Line”, në drejtim të “Finchley Central” më 15 gusht 2015.

Mareda nuk ka mbajtur asnjë qëndrim përpara gjykatësve të “Blackfriars Crown Court”, në seancën e parë, në lidhje me akuzat e Prokurorisë.

Sipas Andy Parkinson, nga policia e transportit, rreth orës 6:45, të dyja vajzat hipën në metronë e linjës “Northern Line” nga stacioni “Camden Town”. Ato u ulën afër njëra-tjetrës dhe pak momente më pas i zuri gjumi.

Mareda iu afrua njërës prej vajzave duke e ngacmuar seksualisht, teksa ajo flinte. Mareda do ta ndërpriste ngacmimin, vetëm atëherë kur vajza tjetër do të zgjohej, por ai nisi ta ngacmonte edhe atë.

Shqiptari do të zbriste më pas nga treni në zonën “Finchley Central”. Ndërsa vajzat raportuan menjëherë incidentin në polici. Megjithatë, shqiptari është lënë i lirë me kusht dhe do të rikthehet në këtë gjykatë më 4 prill 2016.

Top Channel