Reforma në drejtësi, Nishani: E njëanshme, jo transparente dhe deformuese e realitetit

14/10/2015 13:10

Në një letër të gjatë dërguar komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, presidenti Bujar Nishani kërkon përfshirjen e institucionit të Presidentit në këtë proces, që sipas tij është anashkaluar.

Në një analizë të gjatë të ecurisë së reformës në drejtësi, kreu i shtetit thotë se procesi është në mungesë të plotë transparence. “Procesi po zhvillohet në mungesë të plotë transparence si për aktorët e drejtpërdrejtë ashtu edhe për publikun e gjerë. Reforma në drejtësi meriton një vëmendje të posaçme e jo periferike, si dhe një diskutim të gjerë e të plotë me qëllim sigurimin e besueshmërisë, zbatimit të suksesshëm dhe jetëgjatësisë së saj”, shprehet kreu i shtetit në letrën e tij.

Nishani vijon më tej se institucioni i Presidencës nuk ka qënë organizator i asnjë prej tyrezave të organizuara deri më sot, teksa në vendimin e vetë komisionit thuhet se komisioni do ta kryejë veprimtarinë e tij në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe nën kujdesin e Presidentit.

“Asnjë nga tryezat e organizuara deri më sot nuk janë organizuar nën kujdesin e Presidentit të Republikës, duke reflektuar mungesën e plotë e të njëanshme të bashkëpunimit me këtë institucion. Presidenti i Republikës është ftuar të marrë pjesë në disa aktivitete selektive, me njoftim të momentit të fundit, duke pamundësuar kontributin mbi thelbin dhe përmbajtjen e çështjeve të diskutuara. Dorëzimi i materialeve bazë në momentin e fundit, është ngritur si shqetësim edhe nga aktorë të tjerë, duke e bërë thuajse të pamundur diskutimin përmbajtësor gjatë takimeve të organizuara. Referuar vendimit nr.4, datë 22.12.2014 “Për ngritjen e Sekretariatit Teknik”, Institucioni i Presidentit të Republikës ka caktuar një përfaqësues, i cili nuk është ftuar as edhe një herë në takimet Sekretariatit. Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është ftuar të ketë përfaqësues në Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë, pavarësisht proces-verbalit të mbledhjes së Komisionit të Posaçëm dt. 22.12.2014. Në asnjë rast nuk janë realizuar intervista apo takime me Institucionin e Presidentit lidhur me hartimin e raportit analitik për Reformën në Drejtësi, siç pretendohet në pikën IX të vendimit 96/2014. Në muajin Maj 2015, u realizuan me shpejtësi 6 tryeza pune, dhe Presidenti i Republikës është ftuar të ketë përfaqësinë e tij vetëm në një prej tyre, në datë 18 Maj 2015. Në fund të muajit Qershor dhe gjatë muajit Korrik janë zhvilluar 9 forume rajonale të konsultimit publik referuar Raportit Analitik për analizën në sistemin e drejtësisë”, rendit Nishani disa nga ngjarjet kryesore të komisionit të posaçëm.

Presidenti vëren se shmangia e institucionit të tij, që ai e quan të qëllimtë, dëmton rëndë procesin dhe çdo akt që del prej tij. Ndërsa për anën përmbajtësore të reformës, Nishani vëren se raporti analitik nuk reflekton shumicën e informacioneve.

“Raporti Analitik për analizën në sistemin të drejtësisë, hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë, nuk reflekton shumësinë e informacioneve dhe analizës së përcjellë nga aktorët e tjerë të përfshirë qoftë edhe formalisht në proces, duke rezultuar jo rrallë herë në deformimin e realitetit, pasqyrimin e qëndrimit subjektiv të ekspertëve në emër të opinionit publik, deri në ofrimin e modeleve nga vende të cilat nuk mund të përbëjnë pikë referimi për Shqipërinë, vend kandidat për në BE, (si p.sh. rasti i Ukrainës)”, shprehet kreu i shtetit në letrën e tij.

Top Channel