Negociatat e anëtarësimit; PS-LSI, takim me të majtën europiane në Bruksel

14/10/2015 13:06

E majta europiane ftoi në Bruksel simotrat nga Ballkani, për të biseduar mbi procesin e zgjerimit dhe trajtimin e emigrantëve në një takim të nivelit të lartë, që synonte miratimin e një deklarate të përbashkët përfundimtare, enkas më 14 tetor, në ditën e parashikuar të publikimit të raporteve të progresit nga Komisioni Europian.

Pavarësisht shtyrjes së këtij afati, “zgjerimi mbetet i rëndësishëm për unionin”, siguruan krerët e grupimit socialdemokrat në Parlamentin Europian, ndërsa përfaqësuesit e dy partive qeverisëse shqiptare këmbëngulën për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në, duke theksuar rëndësinë e reformës në drejtësi.

Taulant Balla, nënkryetar i grupit parlamentar të PS-së: Duhet kuptuar se, reforma në drejtësi nuk bëhet vetëm me një ligj, por të paktën në këtë pjesë të mbetur të sesionit parlamentar, deri në dhjetor, të kenë kaluar ndryshimet kushtetuese. Më pas, hap pas hapi, edhe ndryshimet e tjera ligjore, në ligjet me shumicë të cilësuar apo të thjeshtë, me qëllim që në Shqipëri të zbatohet shteti i së drejtës, që gjykatat të jenë të pavarura, që gjykimet e tyre të mos jenë të kontestuara dhe, ajo që është më e rëndësishme, lufta kundër korrupsionit, e cila është tërësisht e lidhur me një sistem drejtësie funksional, të japë më shumë sukses.

Ralf Gjoni, Sekretar ndërkombtar i LSI-së: I kam kërkuar grupit socialdemokrat këtu të punojë bashkë dhe me grupin e PPE-së, që të bindin edhe opozitën në Shqipëri, që të ketë sa më shumë gjithëpërfshirje në këtë reformë. Kjo, sepse është një reformë shumë e rëndësishme, që duhet të jetë edhe e qëndrueshme. Kam shprehur se, prioritet tjetër i Shqipërisë mbetet zgjidhja e çështjes së pronave, sepse është diskutuar shumë edhe në korridoret e BE-së dhe është një çështje, që pengon thithjen e investimeve të huaja. Nga ana tjetër, prioritet duhet të mbetet edhe ekonomia.

Për LSI-në, kushtet ekonomike dhe papunësia e të rinjve janë arsyet kryesore, përse shqiptarët braktisin vendin, por pavarësisht të dhënave të raportuara nga përfaqësuesi i shoqërisë civile, drejtori për Ballkanin në Komisionin Europian, Jean-Eric Paquet deklaroi se, “rasti i Shqipërisë nuk është i izoluar, pasi ka një rritje të numrit të azilkërkuesve të rremë nga i gjithë rajoni”.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel