Kosovë, kontroll deputetëve para seancës së të enjtes në Kuvend

14/10/2015 12:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë një vendim për masa shtesë kontrolli ndaj deputetëve dhe të gjithë atyre, që dëshirojnë të futen në Kuvendin e Kosovës nga dita e enjte, kur është ftuar edhe seanca e radhës.

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka paralajmëruar gjithashtu pezullim të deputetëve, por edhe mundësinë e futjes së policisë në seancë, nëse deputetët e opozitës konfrontohen me deputetët e koalicionit qeverisës.

“35 policë kanë qenë çdo herë, në çdo seancë që është mbajtur, për arsye se askush nuk mund të nënvlerësojë faktin se mund të ketë armë zjarri. Ata do të ndërhyjnë menjëherë, nëse ka armë të mprehta, nëse cënohet dikush ose shihen të tilla. Do të ndërhyjnë menjëherë, nëse ka konfrontim fizik, për arsye se nuk kemi ndërmend të bëhemi turpi i botës duke lënë të masakrohen deputetët mes tyre. Por, për debate dhe për vezë, mua nuk më është dukur diçka ekstreme, saqë të fus policinë”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit.

Veseli tha se 30 deputetët opozitarë duhet të kenë kujdes, në mënyrë që të mos marrë vendim për pezullimin e tyre, të cilët – sipas tij, – mund të dalin pastaj të realizojnë skenarin e tyre në rrugë. Por, anëtari i kryesisë nga radhët e LDK-së, Sabri Hamiti kërkoi nga kryeparlamentari, që të veprojë në përputhje me rregulloren.

“Unë personalisht, as nuk dëshiroj t’i duroj, as t’i nxjerrim jashtë. Nuk është punë dëshire, por është detyrim. Detyrimi ynë është që t’i zbatojmë rregullat. Sepse puna bëhet këtu, gjë që nuk është me dëshirë timen. Ne jemi përfaqësues të popullit, kemi rregulla dhe i zbatojmë ato”, tha Sabri Hamiti, anëtar i kryesisë nga LDK.

Pas shumë diskutimesh, Kryesia e Kuvendit u pajtua që, në rast bllokimi të punës së Kuvendit nga deputetët opozitarë, kryetari të ndërpresë seancën për pushim dhe të ftojë sërish Kryesinë për të vendosur për futjen e Policisë në seancë.

Ndërsa, duke komentuar zhvillimet e fundit pas seancës ku u hodh gazi lotsjellës, kryeparlamentari kosovar tha se, ka informacione që policia e ka ditur se deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, po fuste brenda sallës gaz lotsjellës dhe nuk ka reaguar për këtë.

Veseli kritikoi po ashtu organet e drejtësisë për arrestimin e deputetit Albin Kurti gjatë natës. Ai tha se, veprimet e Kurtit në Kuvend janë në kundërshtim me ligjin, por organet e drejtësisë do të duhej që të mos ndërmerrnin aksione në mbrëmje, për të nxitur spektakle nga opozita, siç ishte ai i së hënës në mbrëmje.

Top Channel