Berat, sekuestrohen 23 kg hashash, një në pranga

14/10/2015 16:25

Një person është prangosur dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga Policia e Qarkut të Beratit, pas një operacioni që përfundoi me sekuestrimin e 23 kilogramëve hashash.

Operacioni u krye nga Seksioni për Narkotikët në bashkëpunimin me Komisariatin e Skraparit dhe në pranga në kushtet e flagrancës u kap shtetazi Fatmir Veizi, 20 vjeç, banues në Berat, ndërsa në kërkim u shpall shtetasi me inicialet B.M., 23 vjeç banues po në Berat.

Arrestimi ndaj shtetasit Fatmimr Veizi, si dhe shpallja në kërkim ndaj shtetasi B.M u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementët e veprës penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” , pasi në rrugën Skrapar- Përmet, në vendin e quajtur ura e Hambullit këta persona nuk i janë bindur urdhrit te policisë duke u larguar me automjetin e tyre.

Policia është vënë në ndjekje të tyre dhe dy kilometra nga vendi ku është tentuar ndalimi i tyre, gjeti automjetin e braktisur. Pas kontrolleve, brenda këtij mjeti është gjetur 23 kilogram lëndë narkotike e llojit hashash, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Fatmir Veizi është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë e ftohtë .
 
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat.

Top Channel