
Shirat kanë pushuar në Vlorë, por ujërat ende nuk po largohen nga rrugët e qytetit. Përmbytja ka lënë pasoja në shumë banesa dhe rrugë, të cilat janë ende nën ujë, për shkak se rrjeti i kanalizimeve nuk është në gjendje të tërheqë ujërat sipërfaqësore.
Rrugët janë ende me shumë ujë, ndërsa dëmet në banesat njëkatëshe dhe kryesisht dyqanet e bizneset janë të mëdha.
Pa largimin e ujërave është e pamundur të ndërhyhet për pastrimin e inerteve, ndërsa qytetarët e Vlorës kanë nisur të evidentojnë dëmet e shkaktuara. Ndërkohë, në aksin Vlorë-Orikum vazhdon puna për hapjen e kanalit në vendin ku pati shembje.
Kryebashkiaku Dritan Leli thotë se po punohet për të normalizuar situatën. “Pirgu i dherave që ishte dje, sot nuk është më i pranishëm. Siç e shikoni, makineritë janë duke dhënë dorën e fundit për të hapur rrugën, që rruga nacionale të jetë në funksion të plotë. Ka pasur në mënyrë periodike funksionim të sajin, sidomos për emergjencat. Bashkia e Vlorës ka firmosur sot ngritjen e grupeve të punës për regjistrimin e të gjitha dëmeve në bazë rajonesh dhe do t’u lutesha të gjithë qytetarëve të paraqesin kërkesat e tyre, të evidentojnë dëmet”, tha Dritan Leli, kreu i Bashkisë së Vlorës.
Situata të ngjashme në rrugët e Vlorës përsëriten vazhdimisht, për shkak të bllokimit të kanalizimeve nga ndërtimet, inertet dhe mungesa e një projekti infrastrukturor, që merr parasysh kushtet e reja në këtë qytet.
Top Channel