Fatos Çoçoli – Përgjigjja më e mirë do të ishte: pse jo, të dyja, por duke u përqendruar me të gjitha forcat tek e dyta.
Qasja “allareformë energjetike” në detyrimet për shtetin që kanë mbi 67 mijë sipërmarrës të vegjël dhe të vetëpunësuar në Shqipëri, është ajo e duhura. Ashpërsimin e përkohshëm në maksimum të disiplinës fiskale e kanë bërë shumë vende të tjera (SHBA-ja në vitin 1934, Italia në vitin 1961 në kohën e bumit ekonomik, Irlanda në vitin 1973, Argjentina në vitin 2002, e me radhë). Madje dorën e hekurt të shtetit në ekonominë informale e kanë provuar dhe fqinjët tanë në Ballkan, Serbia për katër muaj në vitin 2000 (kur buxheti i shtetit ishte përtokë, pas luftës me NATO-n) dhe Maqedonia, në vitin 2001 pas Marrëveshjes së Ohrit. Në të katër muajt e ashpërsimit fiskal në Serbi, për shembull, kontrollet e tatimorëve ishin disa herë më të shpeshta dhe të drejtat e sipërmarrjes private shkeleshin përbindshëm. Por buxheti i shtetit serb arriti të mbushej në atë pikë që nuk rrezikonte mbijetesën e shërbimeve thelbësore të atij shteti. Tani në lojë është autoriteti i shtetit tonë, e ardhmja e ndërtimit të shtetit ligjor në një fushë të minuar si detyrimet fiskale. Dora e fortë e qeverisë duhet të vazhdojë, që të lihet të kuptohet se nuk ka më parajsë fiskale dhe epoka e kuponit tatimor është instaluar njëherë e përgjithmonë. Por lypset me sa më pak teprime. Dhe qendra e rëndesës duhet të zhvendoset nga sipërmarrësi i vogël te bizneset e mesme dhe sidomos ato të mëdhatë. Vetë shifrat e të ardhurave tona fiskale e kërkojnë këtë. Kontributi i të 67 mijë të vetëpunësuarve dhe sipërmarrësve të vegjël në buxhetin e shtetit është vetëm pesë për qind, sa një e njëzeta e të gjitha parave që mbledhim si detyrim ligjor. Afro 80 për qind, katër të pestat, i japin kontributet më lart se 350 bizneset e mëdha. Lind pyetja: A ka evazion, informalitet në këto biznese të mëdha? Sigurisht që ka, madje aty zë strehë evazioni më i madh, shmangia më e madhe nga detyrimet e shtetit, pse është i mbuluar me letra, me raporte ekspertësh kontabël të paguar për të realizuar për biznesin tri lloj bilancesh: një për bankat, një për tatimet dhe një për vetë pronarët e biznesit, që është i vetmi i vërtetë. Disa njoftime të fundit për shtyp të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë qenë rrëqethëse, për nga shifrat tronditëse të evazionit që korrupsioni dhe pazotësia e disa strukturave publike kanë lejuar të bëhet me detyrimet e disa kompanive të stërmëdha në buxhetin e përbashkët. Një tjetër mundësi të lartë evazioni e japin transaksionet e biznesit të madh në doganë dhe loja me çmimet e referencës. Vetë tregtarët e vegjël të rrobave që vijnë nga Turqia dhe Kina tregojnë me shqetësim sot se sa të pambuluar përpara tatimorëve janë, ngaqë grosistët që i sjellin këto mallra me vapor, i kanë detyruar t’i blejnë me kile, pa u dhënë faturë ku të vërtetohet origjina e mallit dhe çmimi real i tregut, duke ua kërkuar paratë në kesh, të thata, pa kaluar blerja nëpërmjet bankave. Edhe pse tregtarët e vegjël e kanë paguar afërsisht me çmimin e tregut ndërkombëtar, çmimi që figuron në dogana është gati 70 për qind më i vogël dhe tani tregtarit të vogël i duhet të paguajë Tatim mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në 70 për qind rritje të çmimit, edhe pse ai vetë rrobën që shet e rrit vetëm me 10 apo 15 për qind. Ose ta paguajë ose të mbyllë qepenat e dyqanit të tij. E gjitha kjo është shkaktuar nga evazioni galopant i grosistëve, i kompanive të mëdha të importit, jo vetëm të veshmbathjeve, që kanë kapur segmente të tëra të shtetit tonë. Ata është shumë e vështirë të luftohen, sepse, përveç “letrave” në rregull që paraqesin, të ndihmuar nga e gjithë shpura e ekspertëve kontabël, këshilltarëve fiskalë apo edhe e audituesve të huaj, janë të mbrojtur nga lidhje kulti (të errëta) të vjetra e të reja me pushtetin. Vetëm një inteligjencë fiskale e ndershme dhe e aftë mund t’i demaskojë dhe t’u kërkojë që ose t’i paguajnë borxhet e vjetra shtetit shqiptar (ndoshta duke ua falur gjobat) dhe të kthehen në 100 për qind formalë (e kush nga biznesi nuk e ka gëlltitur lugën e çorbës së prishur në këtë parajsën tonë fiskale 25-vjeçare!) ose të largohen nga vendi. Tatimet tona, krahas kontrolleve fizike të tatimorëve, duhet të fillojnë hetimet e detajuara, duke përdorur inteligjencën tatimore. Por ç’është kjo inteligjenca tatimore? Ajo nuk vishet thjesht me uniformën e tatimorit dhe të trokasë në çdo derë biznesi për letra me vulë. Kjo inteligjencë përbëhet nga ata tatimorë të aftë, që njohin, krahas legjislacionit tatimor shqiptar, edhe teknologjinë e informacionit, analizën e riskut dhe strategjitë e biznesit të madh për të shmangur taksat (si p.sh., loja me transferimin e çmimeve në sipërmarrjet mëma dhe bija). Të tillë ne kemi fare pak, por ata që kemi duhet t’i futim në punë. Dhe ndërkohë të trajnojmë të tjerë, ndoshta dhe të rinj, të porsaardhur, por të ndershëm, qoftë edhe në kurse formimi tre apo gjashtëmujore jashtë shtetit. Këtë gjë bëri Kroacia dhjetë vjet më parë dhe tani e ka kufizuar informalitetin në vetëm 14 për qind të ekonomisë së vet. Mund të shpenzojmë para publike 2-3 milionë euro për këtë, por të jemi të sigurt se brenda një apo dy vitesh, këta kontrollorë të aftë fiskalë do të na japin 200-300 milionë euro më shumë në buxhetin e shtetit.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel