FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Pas eksperiencës jo fort të kënaqshme me “Crown Agents”, Qeveria ka kërkuar konsulencën e një tjetër kompanie private për administratën fiskale, këtë herë nga Gjeorgjia.
“Reformatics”, një kompani e drejtuar nga ish-kryeministri gjeorgjian Nika Giluri, është ftuar personalisht nga kryeministri shqiptar Edi Rama të asistojë doganat dhe tatimet.
Lajmi nuk bëhet i ditur nga Qeveria, por nga një organizatë biznesi përkatësisht Dhoma Amerikane e Tregtisë. Në faqen zyrtare të Dhomës thuhet se përfaqësues të Dhomës Amerikane të drejtuar nga presidenti Mark Crowford u takuan me drejtuesit e kompanisë “Reformatics”, të cilët janë ftuar nga kryeministri Edi Rama për të asistuar tatimet dhe doganat.
Sipas njoftimit, gjatë takimit drejtuesit e kompanisë gjeorgjiane kanë marrë informacione mbi mënyrën sesi fuknsionon sistemi i doganave me qëllim që t’i mbajnë në konsideratë gjatë konsulencës që do japin për qeverinë shqiptare.
Ende nuk dihet se cila do të jetë forma e bashkëpunimit apo kushtet e kontratës mes qeverisë dhe kompanisë gjeorgjiane. Burime konfidenciale i thanë Top Channel se kontrata me kompaninë gjeorgjiane nuk do të jetë si ajo me “Crown Agents”, e cila u instalua në Shqipëri për një periudhë dyvjeçare.
Sipas tyre, me shumë mundësi objekti kryesor i punës së kompanisë gjeorgjiane do të jetë të shqyrtojë mundësinë e bashkimit të administratave fiskale, pra tatimeve dhe doganave, në një institucion të vetëm sipas modelit amerikan.
Kjo është përpjekja e dytë ku Qeveria kërkon konsulencë për administratën fiskale duke kontraktuar kompani private nga jashtë. Sapo erdhi në pushtet ajo, solli në Tiranë “Crown Agents”, një kompani e mirënjohur britanike që u pagua rreth 8.5 milionë euro për të ndihmuar doganat shqiptare .
Por rezultatet sipas edhe vetë qeverisë ishin zhgënjyese. Ministria e Financave ka bërë zyrtarisht të ditur se për këtë shkak nuk do e rinovojë sërish kontratën dyvjeçare me këtë kompani, e cila skadon në mars të vitit tjetër.
Top Channel