“Bombë e telekomanduar” në tregun ushqimor, arrestohet 53-vjeçari në Elbasan

09/10/2015 00:00

Një bombë e telekomanduar, në një nga zonat më të populluara të qytetit të Elbasanit, ka vënë sot në rrezik serioz jetën e banorëve.

Ngjarja është shënuar paraditen e së premtes, në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese” pranë tregut të fruta-perimeve, ku qytetarët kanë konstatuar një objekt të dyshimtë dhe kanë lajmëruar forcat e Policisë.

Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan efektivët e policisë dhe, në bashkëpunim me forcat xheniere të RENEA-s, bënë të mundur konstatimin e një bombule gazi të modifikuar dhe disa fijeve elektrike, së bashku me disa mekanizma të tjerë, të ngjashme me ato që aktivizojnë lëndë eksplozive.

Policia arrestoi autorin e dyshuar të lëndës eksplozive, ndërsa mjeti i dyshuar si “bombë e telekomanduar” u përpunua dhe u sekuestrua për veprime të mëtejshme, nga forcat xheniere të RENEA-s.

Në pranga është vënë 53-vjeçari Rexhep Bica, i cili rezulton të jetë një tregtar ambulant, që furnizonte tregtarët e vegjël të tregut.

Ende nuk dihen shkaqet e vendosjes së lëndës eksplozive nga 53-vjeçari, baba i dy fëmijëve. Nga ajo që mësohet, në tregun ku u vendos lënda plasëse zhvillonin aktivitetin edhe dy vëllezërit e autorit të dyshuar dhe një shpërthim i mundshëm i saj do të vinte në rrezik edhe jetët e tyre.

Ndërkohë, fqinjët e 53-vjeçarit e njohin atë si person të qetë dhe pa probleme. Madje, ata shprehen të shokuar nga ngjarja. Megjithatë, Policia dhe Prokuroria janë duke hetuar për shkaqet e vendosjes së lëndës plasëse.

Top Channel