Top Story, ç’po ndodh brenda mazhorancës?

08/10/2015 00:00

Edi Rama dhe Ilir Meta janë takuar disa herë brenda kësaj jave, takime që kanë nxitur akoma më shumë zërat për një krizë brenda koalicionit qeverisës.

Çfarë po ndodh në skenën politike? Çfarë po ndodh në gjirin e së majtës? Si po qeveriset vendi? A po luftohet korrupsioni?

Për këto dhe të tjera pyetje, këtë të enjte në Top Story me gazetarin Sokol Balla ishin Spartak Ngjela dhe Skënder Gjinushi, përballë katër analistëve.

I pari që mori fjalën ishte Spartak Ngjela. Ai vlerësoi se përplasja Rama-Meta ka ndodhur tashmë dhe kritikoi ashpër qeverinë, duke shkuar deri aty sa të kërkojë dorëheqjen e saj.

“Përplasja ka ndodhur, nuk po ndodh. Kanë dështuar. Dy vjet nuk bënë asgjë. Mbetën në reformat kryesore dhe nuk hapën dot negociatat. Të dyja këto, edhe njëra nga këto mjaftonte që qeveria të jepte dorëheqjen, të shkonte në zgjedhje të reja, ose të shikonte ndonjë mënyrë tjetër. Për faktin që nuk ka bërë këto të dyja, kjo qeveri është mbyllur dhe nuk mund të presësh që mund t’i bëjë për 6 muaj. Arsyeja e dytë është fakti që nuk krijuam dot frymë të re. Njerëzit i pritën, tregun e goditën rëndë, është i goditur, po vazhdon të goditet më shumë me këtë fiskalen. Bëri një fushatë gjigante për një gjë që ndoshta a vetë nuk e kuptonte për taksën progresive”, tha Ngjela.

Analisti Skënder Minxhozi u shpreh se gota duhet parë gjysmë plot.

“E vërtetë që nuk krijoi dot frymë Edi Rama, edhe fryma fillestare ka ardhur duke u shuar. Qeveria ka dështuar në shumë aspekte, por ka edhe disa të tjera, ku mund të flitet për metaforën e gotës gjysmë plot. Duhet të jemi më të kënaqur që u krijua një presion pozitiv mbi ata që nuk paguanin energjinë, ndarja territoriale dhe të tjera. Është një punë gjysmake, por nuk është zero”, thotë Minxhozi.

Minxhozi shprehet se Meta dhe Rama janë në një lojë pushteti brenda koalicionit dhe në tavolinë luajnë me emrat në qeveri.

Nga ana e tij, Skënder Gjinushi u ndal tek një sërë reformash dhe nismash të kësaj qeveri, duke vlerësuar më shumë ato në fushën e ekonomisë. Ai tha se kjo qeveri ka gjetur ekonominë me më shumë piramida se në ’97.

“Nuk mund të flasim as për dështim reformash dhe as për faliment. U mbyllën gropat financiare, biznesi u shlye, KESH ishte i fundosur, po ashtu edhe nafta e fundosur. Ekonomia mbartte më shumë piramida se në ’98”, tha ai duke i njohur ndër të tjera meritën kësaj qeverie për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Megjithatë, sipas Gjinushit, të gjitha këto masa dhe reforma nuk janë shoqëruar me goditjen e korrupsionit në nivelet të larta qeverisëse.

“Ka një kontrast këtu, që poshtë goditet më fortë korrupsioni, lart i ka duart e lidhura nga drejtësia, qoftë politikisht”, tha Gjinushi.

Kreu i PSD-së e cilësoi të gabuar nismën për dekriminalizimin. Ai tha se kriminalizimi i politikës, gjyqësorit dhe gjithë shoqërisë shqiptare është pasojë e korrupsionit të politikës dhe nevojës së saj për mbështejte nga “të fortët”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA