Tiranë, zbulohet skemë mashtrimi me pronat; 7 të arrestuar

06/10/2015 00:00

Policia e Tiranës ka bërë të mundur zbulimin e një skeme mashtrimi në lidhje me çështjen e pronave, gjë që ka çuar edhe në arrestimin e 7 personave të dyshuar si të implikuar pasditen e së martës.

Nga raportimet paraprake bëhet e ditur se, në këtë skemë përfshihen edhe biznesmenë të mëdhenj, ndërkohë që mes të ndaluarve janë drejtues të njësisë së Petrelës dhe zyrtarë të Hipotekës së Tiranës.

Personat e arrestuar janë: Flora Xhillari,  65 vjeç, me detyrë shefe e zonë Nr.5 pranë ZRPP Tiranë; Argid Alikaj, 29 vjeç; Ledion Mastori, 36 vjeç; të dy këta persona mbanin pozicionin e specialist-juristit pranë zonën Nr.5 në ZRPP Tiranë; Genci Sula, 37 vjeç me detyrë specialist i zyrës së menaxhimit dhe mbrojtjes së Tokës në Njësinë Administrative Petrelë; Ilir Rrushi, 42 vjeç; Xhevahir Hyka,  51 vjeç dhe Alban Dushku,  37 vjeç.

Sipas policisë, shtetasi Alban Dushku në bashkëpunim më shtetasit Xhevahir Hyka dhe Ilir Rrushi kanë falsifikuar tërësisht dokumentat e pronës së shtetasit G.H, ku për pasojë i kanë tjetërsuar pronësinë me një sipërfaqe prone prej 4.000 metra katrorë, me vlere 600 mije Euro. Rezulton se shtetasit Alban Dushku në bashkëpunim me shtetasit Xhevahir Hyka dhe Ilir Rrushi, pasi kanë falsifikuar tërësisht dokumentacionin e pronës me të dhënat e mësipërme, kanë ushtruar ndikim tek punonjësit të ZVRPP Tiranë, për pajisjen me certifikatë pronësie në mënyrë të kundraligjshme.

Top Channel