Marrëdhëniet e sotme mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë janë më të mirat e mundshme, është shprehur kryeministri Edi Rama në takimin me Fondin Shqiptaro-Amerikan, në 20-vjetorin e krijimit të këtij të fundit.
“Ndihma në demokratizimin e vendit tonë dhe zgjidhja e çështjes shqiptare të Kosovës i dedikohen më së shumti e më së pari SHBA-së. Të gjithë së bashku kemi detyrimin të ndërtojmë atë bashkëjetesë që e bën të mundur lulëzimin e të drejtave të të gjithëve. Besoj se nëse në rastin e përvjetorit të Fondit Shqiptaro- Amerikan do të kërkohej një parafrazim do t’i shkonte fjala e një sipërmarrësi amerikan, i cili thotë nuk është fjala për ide, po për ide që realizohen. Dhe Fondi Shqiptaro- Amerikan ishte dëshmia dhe mbetet dëshmia e e faktit se idetë vlejnë kur realizohen. Në Shqipëri, Fondi u bë dëshmitar i të vërtetës se është e mundur që idetë te realizohen, të investohet në mënyrë të guximshme, transparente, dhe në mënyrë të suksesshme”, tha kryeministri Rama.
Fondi Shqiptaro- Amerikan shënoi një kapitull të ri në investimet në vend, duke e cilësuar një histori suksesi. 20 vjet më parë ai nisi me një kapital fillestar prej 30 milionë dollarësh dhe gjeneroi një vlerë prej 300 milionë dollarë.
“Ka krijuar mbi 7 mijë vende pune dhe ka kontribuar në Prodhimin e Brendshëm Kombëtar me 2 miliardë dollarë direkt apo indirekt. Investimet e fondit kanë tërhequr investime të huaja direkte për Shqipërinë, 300 mln dollarë”, bëri të ditur kryeministri.
Kryeministri tha më tej se sipëmarrjet si Fondi Shqiptaro- Amerikan janë prodhimi më i mirë që mund ti bëhet Shqipërisë përsa i përket aftësisë për të siguruar investime apo për t’i bërë të mundura zhvillimin e investimeve.
Top Channel