Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati është zyrtari i parë në këtë detyrë që viziton Marokun. Gjatë takimeve me zyrtarët marokenë janë diskutuar fushat e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, sfidat e sigurisë, bashkëpunimi i Marokut me NATO-n dhe situata në Mesdhe.
Kjo vizitë është në vijimësi të lobimit për anëtarësim të Kosovës në UNESCO. Ministri Bushati kërkoi nga pala marokene që Maroku të rishohë qëndrimin në drejtim të njohjes së shtetit të Kosovës si një realitet i pakthyeshëm dhe tashmë i konsoliduar, si dhe inkurajoi që të mbështetet kërkesa e Kosovës për t’u pranuar në UNESCO, si një mesazh për bashkëjetesën dhe harmoninë në rajon.
Z. Bushati zhvilloi takime me Ministrin e Jashtëm, Salaheddine Mezouar, Kryeministrin, Abdelillah Benkirane, Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve, Rachid Talbi Alami, Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme, Mohammed Mehdi Ben Said, Ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Mohammed Boussaid, si dhe Presidenten e Konfederatës së Përgjithshme të Sipërmarrjeve të Marokut, znj. Miriem Bensalah- Chaqroun.
Në fund të takimit, palët nënshkruan marrëveshjen mes dy vendeve, për shmangien e taksimit të dyfishtë si dhe marrëveshjen për heqjen e vizave nga mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit.
Top Channel