Atentati në Tiranë, hetohet në tri pista; 10 mijë Euro për informacion

02/10/2015 10:30

Për zbardhjen e atentatit të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Tiranë, ku u vranë dy persona dhe mbeti i plagosur një i tretë, po hetohet në të paktën tri pista.

Nga hetimet paraprake, të cilat lidhen me të kaluarën e viktimave dhe personit të plagosur, si dhe me provatr që janë gjetur në vendngjarje, policia dyshon se pistat e kjëtij atentati variojnë nga hakmarrje e deri tek pazaret e drogës apo edhe xhelozi.

Kështu, e shkuara e personit që mbeti i plagosur në këtë ngjarje, Elvis Gaçaj, e ka detyruar policinë që të përqendrojë një pistë hetimi se objekt i atentatit mund të ketë qenë pikërisht ky person, pasi rezulton i dënuar më parë për vrasje dhe plagosje.

Edhe e kaluara e Kevin Rugovës, njëri prej dy personave që kanë mbetur të vdekur dhe konflikti që ka patur disa ditë më parë me një mikun e tij, dyshuar për çështje droge, ka ngritur një tjetër pistë për grupin e hetimit.

Pista e tretë ka të bëjë me sendet e gjetura në çantën e 29-vjeçares që gjeti vdekjen nga plumbat , Aurora Oskian. Sipas policisë, vajza kishtë në çantë një faturë që vërtetonte se kishte tërhequr një shumë të konsiderueshme parashë nga një bankë dhe kishte edhe një biletë avioni për në Londër, ku kishte familjarët e vet.

Mes pistave të hakmarrjes, prishjes së pazarave në trafikun e drogës dhe pastrimit të parave, hetimi për këtë atentat ende nuk ka marrë një drejtim konkret për zbardhjen e tij.

Policia ka ngritur dyshimet e para mbi autorësinë e krimit, ndërkohë që për çdo informacion shtesë ka vendosur një shpërblim prej 10 mijë Eurosh për këdo që di diçka mbi ngjarjen në fjalë, duke garantuar anonimatin e personit.

Pjesë e analizës për zbardhjen e ngjarjes është edhe një armë automatike, tip Kallashnikov e gjetur në Lumin e Lanës nga forcat RENEA paraditen e së premtes. Arma u gjet pak metra larg vendit të ngjarjes dhe dyshohet se mund të jetë përdorur në krim. Megjithatë, analizat ballistike do të vërtetojnë nëse bëhet fjalë për armën e vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes së një të treti, apo për një armë të hedhur në Lanë prej kohësh.

FOTO GALERI
4/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA