Lezhë, arrestohet vjedhësi i kishës së Shënkollit

28/09/2015 00:00

Përmes një komunikate të mbrëmjes së të hënës, policia e Lezhës ka bërë të ditur arrestimin e autorit të vjedhjes së kishës së “Shënkollit”, duke i sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një varëse e shtatores së shenjtit Shën Nikolla.

Autori i dyshuar është identifikuar si Dashamir Mekrisvani, 35 vjeç nga fshati Rrilë i Lezhës, i cili akuzohet se ka vjedhur dhe dëmtuar kishën e Lezhës. Ndër të tjera, ka hequr dhe ka dëmtuar dy ikona duke i rrëzuar në tokë, një statujë dhe dy mbajtëse qirinjsh.

Shtetasi në fjalë akuzohet edhe për vjedhjen e varëses së shtatores së shenjtit Shën Nikolla, e cila u gjet në tavanin e banesës së tij pas kërkimeve të forcave të policisë.

Materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale të “vjedhjes”, “shkatërrimit të pronës” dhe “shkatërrimit të objekteve të kultit”.

Top Channel