BB: Mbështesim anti-informalitetin, por kujdes pasojat sociale

28/09/2015 12:45

Banka Botërore mbështet aksionin kundër informalitetit, por i kërkon qeverisë të bëjë kujdes për pasojat që ai mund të ketë mbi të varfërit.

“Qeveria do duhet të sigurojë mekanizma të mjaftueshëm sociale për të adresuar pasojat apo çështjet afatshkurtra që mund të dalin mbi segmentet më të varfëra të shoqërisë. Në këtë pikë, roli i paketave të mbrojtjes sociale, përshtatja e tyre për t’ju përgjigjur direkt çdo pasoje që këto reforma kanë mbi shtresat në nevojë është kritik”, thotë Tahseen Sayed, drejtoresha e BB për Shqipërinë.

Veç mbrojtjes ndaj të varfërve, banka ka nënvizuar se një tjetër element kritik do të jetë ndershmëria e saj. Tahseen Sayed tha se ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë

“Dy gjëra që dua t’i theksoj. Së pari lufta kundër informalitetit duhet të jetë e vazhdueshme dhe së dyti duhet të zbatohet ndershmërisht në të gjitha segmentet e ekonomisë dhe biznesit, çka krijon besueshmëri në sytë e publikut, që reformat janë të ndershme dhe zbatimi i ligjit është i barabartë për të gjithë”, tha Sayed.

Në raportin e fundit mbi gjendjen e ekonomive rajonale, banka vëren se ekonomia shqiptare po përshpejtohet dhe këtë vit do të rritet me 2.7 për qind nga 2.1 që u rrit vitin e kaluar. Por, edhe më këto ritme, rritja ekonomike mbetet sërish e dobët dhe e pamjaftueshme për të ndikuar mirëqënien e pjesës më të madhe të familjeve, të cilat mund të detyrohen të shkurtojnë sërish konsumin.

“Konsumi pritet të jetë në ulje gjatë vitit 2015 dhe në vazhdim. Një faktor që pritet të zhduket me kalimin e kohës, me përmirësimin e situatës ekonomike në vendet nga të cilat vijnë remitancat në Shqipëri. E dyta është besimi konsumator që duket se nuk po kthehet në nivelet mesatare afatgjatë. Kjo mund të lidhet me shumë arsye dhe situatën ende problematike të tregut të punës. Pavarësisht përmirësimeve të fundit, papunësia është e lartë, pjesëmarrja në forcën e punës është tepër e ulët dhe nga ana tjetër mund të ndikojnë përpjeket për formalizimin e ekonomisë. Ndoshta për një kohë të shkurtër mund të jetë ndonjë goditje në konsum”, tha Ilda Shijaku, BB.

Banka deklaroi se rikthimi i rritjes së shpejte ekonomike do të varet nga se zbatimi i reformave që nxisin rritjen e prodhimit dhe produktivitetin.

Top Channel