Krimi në familje, vret bashkëshorten dhe vjehrrin; vetëvritet

27/09/2015 11:55

Zara Petova, 35 vjeç, u vra me armë gjahu së bashku me të atin Ismet Leka, 72 vjeç, ndërkohë që autori i krimit, që ishte  bashkëshorti i gruas, i dha fund jetës gati shtatë orë më vonë, duke u vetëqëlluar me armën e krimit në antenën e radiostacionit ku kishte hipur menjëherë pas ngjarjes.

Krimi me tre viktima ndodhi në fshatin Xhafzotaj të Shijakut. Burime policore i thanë Top Channel se 35-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, prej tetë ditësh kishte siguruar një urdhër mbrojtjeje nga Gjykata e Durrësit, në mënyrë që të shmangte dhunën e ushtruar nga i shoqi Dritan Petova.

Urdhëri i mbrojtjes së Gjykatës së Shkallës së Parë është shpallur në datën 19 shtator, shpjeguan burimet policore dhe urdhëronte Dritan Petovën, 41 vjeç, që të qëndronte në një distancë mbi 500 metra larg të shoqes dhe dy fëmijëve, si edhe mos ta kontaktonte atë në telefon.

Në kushtet e dhunës, gruaja ishte larguar dhe jetonte tek prindërit e saj. Rreth orës 5 të mëngjesit, gruaja në shoqërinë e të atit ishte nisur për në punë, ndërkohë që janë hasur me Dritan Petovën, i cili i ka qëlluar të dy. Pas krimit të dyfishtë, 41-vjeçari është larguar nga vendngjarja dhe është ngjitur në një antenë të radiostacionit.

Policia lokale përgjatë disa orëve është përpjekur të negociojë me autorin e krimit që të vetëdorëzohej, por ai nuk ka pranuar. Më lini të qetësohem, i ka thënë ai policisë, sepse nuk jam mirë. Policia është përpjekur që ta bindë për t’u vetëdorëzuar dhe në fund të shtatë orëve ai është vetëvrarë me armën e gjahut.

Autori i krimit njihej nga banorët si person i alkoolizuar.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA