Hahn njeh zhvillimet pozitive në Kosovë: Dhuna është e papranueshme

22/09/2015 20:10

Komisioni Europian do të përfshijë edhe zhvillimet e fundit pozitive, në raportin e progresit për Kosovën, që pritet të publikohet më 14 tetor, por vendi duhet të përqëndrohet në luftën ndaj korrupsionit, ndërsa “dhuna është e papranueshme”, siç përmendi Komisioneri Hahn, pas takimit me ministrin e Integrimit Europian, Bekim Çollaku.

Megjithëse pala kosovare u shpreh se, është në prag të hyrjes në fuqi të MSA-së me BE-në dhe të liberalizimit të vizave për qytetarët, Brukseli vlerëson se mbeten ende disa çështje të hapura për të dyja prioritetet.

Johannes Hahn, komisioner për Fqinjësinë europiane dhe Negociatat e zgjerimit: Unë mund ta kuptoj kur njerëzit nuk bien dakord, por unë nuk pajtohem dhe e dënoj, kur kjo kalon në dhunë, pasi dhuna është e papranueshme në demokraci. Mbeten disa çështje të hapura mbi MSA-në, por edhe mbi liberalizimin e vizave, ndaj dhe unë nuk mund të parashikoj asgjë për periudhën ekzakte kohore.

Bekim Çollaku, ministër i Integrimit Europian në Kosovë: Kosova ka bërë reforma të dhimbshme e të vështira, prandaj është momenti, që qytetarët e saj t’i prekin këto rezultate konkrete nga BE-ja. Sot mora konfirmimin nga komisioneri Hahn se, Komisioni Europian, së bashku me shtetet anëtare e kanë këtë gjë parasysh, e shumë shpejt qytetarët do të binden se Kosova, ashtu si të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit, ka një të ardhme të sigurtë europiane.

Komisioneri Hahn: Kosova ka treguar seriozitet dhe ka bërë punën e saj, çfarë është mirë, përsa i përket liberalizimit të vizave. Prandaj pres që kjo të merret parasysh, por e përsëris se, në përpjekjet tona të përbashkëta dhe vlerësimet e bëra mbeten disa çështje të hapura, që shpresoj të gjejnë zgjidhje deri në fundit të vitit.

Në prag të mbledhjes së Këshillit të ministrave të Brendshëm të BE-së mbi krizën e refugjatëve, “ku gjërat po bëhen gjithnjë e më pak të kontrolluara” sipas komisionerit, Hahn bëri thirrje për gjetjen e zgjidhjes brenda vendeve anëtare, pa deleguar problemet te shtetet ballkanike, që sot janë “viktima” dhe jo “kosto” për unionin, theksoi ai.

Johannes Hahn: Para së gjithash, ne duhet të gjejmë së brendshmi një zgjidhje. Unë nuk e mbroj variantin e delegimit të problemit, sepse kjo është detyra jonë tani. Si i ngarkuar për politikën tonë të fqinjësisë dhe zgjerimit, unë kujdesem vërtet që këto vende të mos shndërrohen në viktima të problemeve tona dhe, në këtë aspekt ato janë viktima, sepse janë të prekur nga rrugët e refugjatëve, por duhet të jetë e qartë, se Ballkani Perëndimor nuk është kosto.

Ndërsa komisioneri Hahn priste ministrin kosovar të Integrimit Europian, Komisioneri për Emigracionin, Avramopoulos takoi ministrin serb të Punës dhe Çështjeve Sociale, Vulin. Beogradi aktivizoi mekanizmin e BE-së për Mbrojtjen Civile, për të përfituar mbështetje materiale në përballimin e fluksit të refugjatëve dhe azilkërkuesve.

Qendra Koordinuese e KE-së për Përgjigje të Menjëhershme ka nisur punën mbi kërkesat e Beogradit, për shtretër, dyshekë, ushqime, karburant, mjete dhe pajisje higjienike.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA